West Side Family kanë publikuar këngën e tyre më të re që mban titullin “Me Ex”. Kënga ka vetëm pak ditë që ka dalë dhe me ritmet e saj mjaft verore dhe pozitive, ia ka dalë që të krijojë një impakt mjaft të mirë tek publiku. Nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana”, vetë djemtë na kanë zbuluar më shumë për këtë projekt dhe jo vetëm…

Si lindi “Me Ex”?

Amir: Ka lindur siç lindin ato gjërat e bukura, me ndjenjë. Shkon në një lokal, ka ambient të bukur, fillon të pish, shikon dikë pin me ex, dhe ashtu lind ngjarja…

Landi: West Side mbetet një farë e mirë, farë e fortë prandaj i reziston kohës. Ne jemi këtu, jemi akoma bashkë, ndajmë gjëra bashkë, kënaqemi bashkë dhe ecim bashkë…

Kush ka qenë më skeptik për këtë këngë?

Landi: Unë jam më skeptik, që nga fillimi deri në fund. Eci me mendimin që e mira nuk ka fund.

Amir: Landi në projektet tona ka lindur skeptik. Kjo sepse do më të mirën e mundshme.

Lidhur me klipin mjaft të veçantë, djemtë na kanë treguar:

Landi: Ideja e West Side ka qenë gjithmonë promovimi i vendit tonë. Në këtë rast ka qenë Tirana. Ne kemi xhiruar në pedonalen e re, që është një nga vendet më fantastike në Tiranë. Qëllimi ka qenë të promovojmë disa vende të Tiranës. Ne kemi bërë punën tonë që kemi promovuar disa gjëra, përveç ahengut dhe mendoj se ia kemi arritur.

Armir: Audio është një element shumë i rëndësishëm i punes sonë. Pjesa e audios është bërë shumë cilësore, është diçka që dëgjohet shumë mirë, kënaqesh. Është cilësi mbi të gjitha.

Çfarë pritshmërish keni për këtë këngë? Miri përgjigjet…

Mesa kam parë unë, ishte sikur na kanë pritur ne sepse kanë dalë shumë këngë këto ditë. Ndoshta është rastësi, ndoshta është e menduar, por këto materialet e verës kanë startuar me ne. Dhe kjo është një gjë e mirë.

A do të vijë një album nga ju këtë vit? Ja çfarë thotë Landi:

Album ndoshta, por këtë vit është fjalë e madhe. Nuk do ia rrisja pritshmëritë publikut, por nëse do kishim produkte të tjera, do të ishte shumë pozitive.