Në muajin mars, Marsela Çibukaj solli një surprizë për të gjithë fansat dhe publikun e gjerë. Artistja solli një EP, të titulluar “Petale”, i cili përmban 4 këngë zemre, siç i quajti ajo.
Prezantimi i këtij albumi u bë gjatë një eventi special me miq e kolegë të shumtë. Në ditën e eventit, 21 mars, Marsela Çibukaj kishte edhe 40-vjetorin e lindjes, gjë që e bëri edhe më të veçantë prezantimin e albumit.
“Petale” ishte albumi kushtuar dy prindërve të saj, të cilët përveçse ishin të pranishëm në këtë sukses të jashtëzakonshëm të vajzës së tyre, ishin aty edhe për t’i uruar ditëlindjen së bijës. Deri më tani ishim njohur me vetëm dy këngë të këtij projekti të veçantë.
“Ata puthen” dhe “Fajet” ishin dy këngët e para të albumit, të cilat Marsela u dha kohën e duhur të publikimit duke tërhequr kështu edhe më shumë vëmendjen e publikut. E tani, artistja ka sjellë dhe këngën e tretë, “Petale”, kënga nga e cila mori dhe titullin ky EP, që ka hyrë këtë javë në klasifikimin e “The Top List”.