Pas një vere të mbushur me performanca në skenat më të mëdha, Alban Skënderaj ka sjellë në fund të sezonit një surprizë muzikore. Kënga e re e tij, e titulluar “Margaritar”, tashmë është publikuar.
Projekti vjen si një bashkëpunim me Elgit Dodën. “Margaritar” është dueti i tretë mes dy artistëve, pas “Parajsa ime” dhe “Parajsa ime 2”.
Muzika dhe teksti mbajnë firmën e Alban Skënderajt, ndërsa produksioni është realizuar nga Elgit Doda. Albani kishte paralajmëruar se kënga bart një mesazh të fortë dhe është një dedikim i drejtpërdrejtë për gratë shqiptare.
Një himn i dedikuar forcës dhe bukurisë së gruas shqiptare. Me tekst të ndjerë dhe melodi të ndërtuar me kujdes, kënga e përshkruan gruan si një margaritar të rrallë, që ndriçon edhe në errësirë.
Siç e përshkroi dhe vetë Albani kur paralajmëroi këngën, “Margaritar” është një festë për vajzat dhe gratë shqiptare, për t’iu thënë faleminderit, për t’i bërë të ndihen më mirë, për t’i nderuar, për t’i thënë që të ndihen krenare për atë që janë. Bashkëpunimi i Albanit dhe Elgitit ka tërhequr vëmendjen dhe zemrat e të gjithëve ne dhe ka arritur që të rrëmbejë kreun e javës.