Majk po korr një sukses të jashtëzakonshëm në tregun muzikor shqiptar dhe këtë gjë e tregon më së miri interesi i publikut për të votuar artistin, të cilin këtë javë e kanë ngjitur sa më në majë të klasifikimit me të gjitha projektet muzikore që është në “The Top List”.

Majk, i cili është shndërruar në një nga këngëtarët më të preferuar të momentit, është pjesë e klasifikimit me 4 projekte muzikore.

“Fund”, e publikuar rreth 2 muaj më parë, e riktheu artistin më romantik se kurrë. Ndërkohë që u përfol se ky projekt muzikor ishte një dedikim për ish të dashurën e tij, fansat vlerësuan prurjen më të re të artistit duke e votuar në topawards.top-channel.tv. Kjo këngë, e cila prej 12 javësh është në klasifikim, për këtë javë është ngjitur me dy pozicione, duke u renditur në vendin e 3-të.

“Kcen” është një tjetër këngë e suksesshme e Majk, e publikuar në muajin shtator të vitit të kaluar. Pavarësisht se kanë kaluar 5 muaj që nga koha e publikimit, ajo vazhdon të preferohet së tepërmi nga publiku shqiptar. Gjatë kësaj javë ajo është ngjitur me 4 pozicione, duke zënë vendin e 7-të.

“Ajo” është bashkëpunimi i Majk dhe Ghetto Geasy, që pasoi suksesin e “Sjena mo”. Kjo këngë ka rreth 35 javë që qëndron në Top Listë, duke i rezistuar prurjeve të reja. E renditur në vendin e 9-të, kjo këngë këtë javë është ngjitur me 10 pozicione.

Majk këtë javë është bërë pjesë e listës zyrtare edhe me një tjetër projekt muzikor. “Le t’xhelozojne” titullohet kënga më e re e Onat në bashkëpunim me Majk që për këtë javë pozicionohet në vendin e 44-t.