E ftuar në studion e “Wake Up”, ka qenë këngëtarja e njohur Lore, e cila ka folur më shumë për eksperiencën e saj në “Big Brother VIP 5”, por duke u ndalur edhe tek projektet e saj të reja muzikore…
Së fundmi ke publikuar këngën tënde të re “Ni Ni”, që vjen në bashkëpunim me MC Kreshën. Si lindi ky projekt?
“Ni Ni” është shkruar, kompozuar dhe xhiruar para hyrjes time në “Big Brother VIP 5”. Ishte shumë spontane që erdhi në studio, siç ishte spontane dhe përfshirja e MC Kreshës, që ka qenë historikisht një nga fantazitë e mia të bashkëpunimit artistik, tanimë e bërë realitet. Fillimisht kënga flet për një flirt, i cili duket sikur nuk realizohet kurrë. Jemi të dy ne në pritje të njëri –tjetrit për një indicie, për një mesazh, për një komunikim. Po aq flirt ishte dhe interpretimi, prandaj ndihet dhe aq shumë kimia artistike në vokale.
Kam dhe disa projekte të tjera që vijnë menjëherë pas kësaj. Nuk do ndaloj. Tani është momenti mos të ndalem, mos ta heq këmbën nga gazi. Jam e lumtur që e kam nisur me MC Kreshën dhe do kemi shumë bashkëpunime të bukura në Kosovë.