Pas këngës së suksesshme “Kcen” e cila ngriti në këmbë klubet natës për shkak të stilit të saj ritmik, Majk ka zgjedhur që kësaj të radhe të vijë më i qetë për fansat e tij, me një baladë.
“Fund” titullohet projekti i ri muzikor i Majk, i publikuar në fund të muajit nëntor, me muzikë dhe tekst të vetë artistit.
Kjo këngë flet për një dashuri të dështuar për shkak të një mashkulli, i cili pasi kërkon falje, ka vendosur të shkojë, duke i dhënë fund kësaj marrëdhënie.
Duket se ky projekt muzikor vjen menjëherë pas ngjarjeve që përfliten se i kanë ndodhur artistit së fundmi në jetën personale, ku spekulohet se ai është ndarë nga e dashura. Ndërkohë që ende nuk janë zbuluar arsyet që sollën fundin e kësaj marrëdhënie, Majk duket sikur “shpërthen” përmes këtij projekti muzikor.
Por ndërkohë që nuk ka një konfirmim nga ana e vetë artistit se kujt i dedikohet kjo baladë, një gjë është e sigurt, ajo po ecën suksesshëm në tregun muzikor.
“Fund” është bërë pjesë e “The Top List” që në javën e parë të publikimit duke u pozicionuar në vendin e 36-të. Kujtojmë gjithashtu se Majk prej 13 javësh është pjesë e klasifikimit me këngën “Kcen” e cila nga java në javë, pozicionohet në vendet më të nxehta të renditjes.