Ndërkohë që katërshja e karrigeve më emocionuese në Shqipëri, po pret finalen e “The Voice Of Albania”, duke i dhënë fund rrugëtimit të gjatë, koveri i këngës “Kthehu” i artistit kosovar Bajram Bylykbashi, ose siç njihet ndryshe me emrin e artit BB Poqi, po korr një sukses të jashtëzakonshëm.
Trajnerët e “The Voice”, Alban Skënderaj, Besa, Rona Nishliu dhe Xuxi, në natën e parë “live” të këtij spektakli sollën koverin e rrokerit kosovar, i cili ka rezultuar tepër i pëlqyer për publikun shqiptar.
Vetëm këtë javë, performanca e tyre është ngjitur me 6 vende, duke u bërë pjesë e 5 këngëve më të nxehta të listës zyrtare të “Top Awards”, duke u pozicionuar në vendin e 4-t edhe pse ka vetëm 3 javë që është në klasifikim.
Mbrëmje e së premtes do të sjellë mjaft surpriza në ekranin e Top Channel, ku më në fund do të zbulohet zëri më i mirë i shqiptarëve.
Në finalen e “The Voice” pritet të performojnë artistët me famë botërore, Mohombi dhe Stanaj si dhe artistët e suksesshëm shqiptar Si Bimbimma, Blunt dhe Real si edhe Elinel së bashku me Besën do të prezantojnë për herë të parë bashkëpunimin e tyre muzikore, “Mos m’lej me ra”.