Stine së bashku me Stenaldon, kanë bashkuar forcat për të sjellë projektin më të ri muzikor që mban titullin “Koha nuk fal”. Një projekt, i cili që në javën e parë të publikimit arriti që të rrëmbente vendin e parë në “The Top List”. I ftuar mëngjesin e sotëm në studion e “Wake Up”, Stenaldo ka folur më shumë për këtë bashkëpunim, por duke u ndalur edhe tek eksperienca në “Big Brother VIP” dhe marrëdhënien me banorët e tjerë…

Puna është e Nestit, punë shumë e mirë e tij, siç kanë qenë dhe plot të tjera. Jam i kënaqur dhe mirënjohës që kam rastin të kem një bashkëpunim të tillë. Ka vibe tipik të pop rock të disa viteve të humbura, ne nuk para dëgjojmë më muzikë të tillë. Vetë Stine e kishte shkruar këngën dhe e kishte ruajtur prej kohësh. Është ideuar përpara. Them që qëndron këndshëm. Po të mos kishim qenë banorë të “Big Brother” bashkë, me gjasa nuk do ta kishim realizuar. Nga fitoret e mia të pjesëmarrjes në BBV, është bërja e disa miqve shumë të mirë si Stine, Mali, Alessio, Armiri, Arditi, Iliri, e të tjerë…

Cilat ishin emocionet e para në studio kur e dëgjuat?

Kënga është njëfarë ndërthurje, kur e dëgjon muzikalisht të jep atë ndjesinë e fundit të gishur, por hidhërimi çbëhet natyrshëm nga koha që nuk fal në një marrëdhënie dashurie. Patjetër që ka atë anën melankolike si në tekst si në muzikë. Por duket sikur të çliron, se thotë “koha nuk fal, e bashkë me të çbëhen arsyet e mia”. Ka një çlirim brenda këngës, por barra e asaj që është humbur qëndron akoma dhe kjo e bën melankolike. Instumentalisht është ndërtuar goxha bukur. Është një qasje pak më ndryshe e Stines, kjo pop-rock. Kur e kemi dëgjuar në studio, ka qenë më RnB, dhe tha i japim  një vibe më pop-rock, meqë është dhe vera para dhe arrin më mirë tek njerëzit. E ribëmë dhe është ky produkt që ka ecur goxha mirë. Jemi shumë të lumtur që kënga e nisi rrugëtimin në “The Top List” dhe urojmë të qëndrojë gjatë.

Muzika ju ka lidhur me Stinen, a jeni dhe miq të mirë ju?

Muzika lidh, por ka disa gjëra që lidhin edhe më shumë. Janë disa lidhje shpirtërore që ndodhin mes njerëzve dhe vazhdohet. Me Stinen po, por dhe me individë të tjerë që i kam vlerësuar në “Big Brother”, duket sikur marrëdhënia nuk ka ardhur duke u forcuar me kalimin e kohës, ndoshta me Malin sepse ndenjëm më gjatë bashkë, por me pjesën tjetër pati një kulminacion që zgjati dhe jashtë. Sa herë ulemi me njëri-tjetrin për të bërë muzikë, lidhja forcohet edhe më shumë.