Pas këngës “Bagëti e Bujqësi” të publikuar në 15 tetor 2021, artisti që spikat në çdo produksion të tij, Killua (Aris Demaj) ashtu siç dhe premtoi kur ishte i ftuar disa muaj më parë në “Wake Up” nuk është ndalur përsa i përket projekteve. Killua së fundmi ka sjellë albumin e tij “Rrno për me tregue” frymëzuar nga vëllimi i librave të At Zef Pllumi, album i cili përmban 8 këngë. Veç këngëve të albumit të cilat vijnë me mesazhe të fuqishme ajo që spikat është dhe kopertina e albumit, për të cilat më gjatë do na rrëfejë vetë ai.

Aris ti e ke ndarë veten në dy alterego, përse?

Është një album i ri, sepse unë e kam ndarë veten në dy alter-ego, Killua dhe Sir-A. Tek “Ktu ka Juda shpinë” është Sir-A. Kjo i përket gjeneratës sime që bën muzikë për të shëruar këtë lloj gjenerate, flet për traumat, problemet sociale. Kurse ato të Killua-s janë për të frymëzuar gjeneratën e re me gjëra të reja.

Pas rikthimit me “Bagëti e Bujqësi” ti nuk je ndalur, pasi së fundmi ke prezantuar albumin tënd “Rrno për me tregue”. Përse ky titull? Vjen si një lloj thirrje?

Është thirrje. Nëse dikush ka lexuar librat e At Zef Pllumit, do të shohi që ai shfaq problemet dhe traumat e sistemit komunist të asaj kohe. Pavarësisht se shumë gjëra kanë ndryshuar dhe sistemet tona kanë ndryshuar, vuajtjet tona psikologjike, emocionale, janë të njëjtat. Por kjo nuk do të thotë që njerëzit nuk i vuajnë me të njëjtin intensitet. Dhe unë kam sjellë të gjitha problematikat e lagjjes sime, vendit ku unë rri.

Një album i cili ka nisur si nevojë e jotja për të rrëfyer histori të atyre që t’kanë pëshpërit në vesh copëza të jetës, siç dhe ti e ke përshkruar në Instagramin tënd. Ka qenë e vështirë të ruash origjinalitetin dhe anonimatin e rrëfyesve?

Ka qenë disi e vështirë sepse duhet të ruaja gjuhën e personazhit. Pra nëse ai fliste me fjalë të thjeshta, unë mundohesha të isha sa më i thjeshtë, por ama t’i jepja edhe kuptim historisë së tij. Por e vërteta është se kur përfshihesh në një gjë, fillojnë e ndryshojnë edhe rolet. Kur përfshihesh në një histori merr trajtën e personazhit. Dhe unë mendoj se nuk ka ndonjë ndryshim, mes atij që e dëgjon dhe atij që e thotë.

Herë – herë të është dashur të bëhesh dhe vetë personazh në këngët e tua. Përse ke zgjedhur dhe këtë mënyrë? Çfarë do të tregosh?

Është sepse njerëzit kanë frikë nga dalja në publik i emrit të tij apo histories së tij, sepse duhet të jenë anonym sepse janë njerëz të thjeshtë. E kam marrë unë përsipër.

Kopertina e albumit “Rrno për me tregue” është një gjetje e veçantë… Kush ka punuar për të dhe çfarë shprehin linjat dhe ngjyrat e përzgjedhura në këtë kopertinë?

Këtë e ka vizatuar ime motër, Kriselda. Ajo ka mbaruar shkollën për design në Firence. Ky lloj cover-art shpreh një vizatim të një fëmije të traumatizuar. Nëse shohim vizatimet e fëmijëve të traumatizuar, do të shohim që linjat dhe ngjyrat ata i vendosin në vende të pacaktuara, ose janë të deformuara. Dhe kjo është për të treguar se çfarë ka ndodhur nga ky brez, i ’97, ’98. Në njëfarë mënyre ua dedikoj atyre këtë album.

Për kompozimin e shumicës së albumit tënd është kujdesur Eugen Herri. Ka qenë i vështirë bashkëpunimi juaj duke qenë se i përkisni dy gjeneratave të ndryshme dhe iu është dashur të “shkrini” dy realitete?

Ka qenë e vështirë. Ai i përket gjeneratës Z, nga ’98 e mbrapa. Eugeni ka bërë gjysmën e albumit, ka ndihmuar dhe Arnon dhe unë, që kam kompozuar dhe vetë një nga këngët e albumit. Ka qenë e vështirë të përshtatej dhe ai ta besonte realisht se ne si brez kemi kaluar dhe kemi pare me sy, njerëz që rriheshin ose ishte një kohë që nuk dilje dot me varëse floriri. Ai nuk e kuptonte. Për t’u futur tek personazhi dhe për t’i dhënë emocione, më duhej t’i tregoja gjithë historinë. Dhe e di historinë e jetës sime pike më pike ai djalë.

Tekste të goditura, me mesazhe të forta dhe here-herë që ngrenë dhe pikëpyetje. A është ky një ndër qëllimet e tua që publiku të mendojë më shumë?

Nuk e di a i kanë kuptuar tekstet. Unë vazhdoj të bëj timen. Unë kam feedback, por këto janë këngë që kërkojnë impenjim dhe me kohët që janë tani, njerëzit kanë një vëmendje të kufizuar. Një lloj audience të caktuar e kam, janë me mijëra veta që i pëlqejnë dhe më shkruajnë. Killua e ka më të thjeshtë të kapi klikime, sepse është më cool dhe i flet një gjenerate që kërkon muzikë të re dhe gjëra të reja. Sir-A është si mjek popullor (qesh).

Kënga “Një ditë e ka dhe Korbi”, pjesë e albumit, është publikuar pikërisht me 14 shkurt dhe siç dhe ti ke shkruar i dedikohet një femre që e ke takuar vetëm një herë, në një festë private. Kaq përshtypje, kimi të dha biseda me të saqë i dedikove dhe një këngë?

E vërteta ishte që ndodhesha rastësisht aty, nisi një bisedë. Ishte një vajzë që me sa mora vesh unë paragjykohej. Këtë e tregon edhe teksti i këngës. Në fund të fundit ne të gjithë presim dashurinë.

Ndërkohë klipi është disi provokues, romantik… E ke pasur të vështirë ta gjesh vajzën protagoniste në klip? Dhe ky klip a do të thotë që Killua nuk njeh limite në art?

Vajza që kam zgjedhur quhet Kaltrina, është një vajzë që bën modeling nudo. Mua më duhej një personazh që të dilte nudo, sepse në një moment tek biseda që kam bërë me vajzën kemi diskutuar që: e vërteta zhvesh, por ne nuk guxojmë ta shohim pa rroba”. E vërteta është kudo rreth nesh, por ne e veshim me mendimet tona, me gjykimet dhe imagjinatën tonë. Prandaj ajo duhej të ishte e zhveshur.

Video të tjera ke gati për publikim? Ndonjë bashkëpunim rrugës?

Killua ka dy. Kemi albume prapë, kemi punë për të bërë, bashkëpunime me Sardi dhe Arnon. Të kësaj egos së re do të bëj pak më rrallë se nuk mund të shëroj çdo ditë, është shumë e kushtueshme.