Jo, Kida nuk ka paguar që të hyjë në Top 10-shen e klasifikimit. Që të jemi të qartë. E, fundja ajo nuk ka nevojë. Kida ka publikuar këngën e saj më të re të titulluar “Dinero”, e cila përkthehet “lek”. “Dinero” është kënga e re solo e Kidës e cila është bërë menjëherë pjesë e klasifikimit të “The Top List”.
Megjithatë, Kida ka sjellë me këtë këngë një stil më ndryshe të sajin, nga sa e kemi parë shumicën e kohës. Ky stil i ri i këngëtares është kritikuar shumë nga fansat dhe shumica e tyre janë treguar skeptikë. Megjithatë, pavarësisht skepticizmit apo komenteve negative, “Dinero” ja ka dalë të renditet në vend të 10-të.
Një pozicionim ky aspak i keq dhe mbi të gjitha që rezultoi të hidhte poshtë çdo parashikim që shumë fansa ngritën më parë, duke menduar se kjo këngë nuk do të ishte e suksesshme. Tashmë e kemi mësuar që Kida sjell vetëm hite dhe çdo projekt i saj rrëmben zemrat e fansave, të cilët e votojnë gjithmonë sa më lart në klasifikim dhe e mbështesin atë.