E ftuar në emisionin “Lancio” ka qenë këngëtarja e njohur Inis Neziri. Ajo ka zbuluar më shumë detaje në lidhje me fillimet e karrierës së saj, ndryshimin gjatë viteve dhe projekteve të reja që ajo po planifikon.
Inis zbuloi se dalja e saj e parë në skenë ka qenë në moshën 12-vjeçare kur ka marrë pjesë tek “Gjeniu i vogël”. Si ka arritur artistja që ta ruajë famën edhe përgjatë viteve.
Kam pasur dy prindër që më kanë qëndruar mbi kokë dhe më kanë thënë: “Inis shiko, rri me këmbë në tokë njëherë se okej e ke talentin por duhet të qëndrosh modeste që të ecësh për më lart.” Edhe tani kur më takojnë më thonë Inisi i “Gjeniu”-ut pavarësisht se sa arritje mund të kem bërë unë mbrapa.
Në moshën 16-vjeçare ajo mori çmimin e tretë në Festivalin Kombëtar, por si është ndjerë Inisi në atë kohë?
Ishte bukur, shumë mirë por prapë doja të arrija pak më shumë me thënë të drejtën. Jam edhe pak si egoiste kështu kërkoj më shumë nga vetja nuk jam kurrë e kënaqur. Por shumë mirë, për atë moshë që kam pasur dhe atë konkurrencë që ka patur atë vit kur e mendoj tani që jam rritur them shumë mirë, ia kam dalë goxha mirë.
Artistja me muzikën e saj është e njohur me talentin e saj edhe në Ballkan por a ka menduar që muzika e saj të vijë edhe në gjuhë të huaj?
Kjo ka qenë dëshira ime që kur unë kam nisur të këndoj. Që e vogël kur këndoja këngët kanë qenë gjithmonë të huaja. Kam marrë dy hapa si në Rumani dhe në Rusi por tregu i huaj është pak i vështirë siç është edhe shqiptari. Me kohën besoj se do arrij aty.
Çfarë ndryshimesh ka vënë re Inisi nga tregu muzikor rumun dhe rus në krahasim me atë shqiptar?
Në ato dy festivale ku kam qenë nuk kanë pyetur fare as për moshë, për ngjyrë apo nacionalitet. Për asnjë lloj gjëje. Për sa kohë kishe përkushtimin, talentin dhe modestinë ata të jepnin atë që meritoje.
Janë më pak paragjykues dhe të japin atë që meriton, nuk është se pyesin shumë për miq.
Ndër të tjera artistja tregoi edhe se ka përgatitur një album por nuk është e sigurtë nëse do e publikojë ndonjëherë. Kënga e saj më e re “Sa netë” është edhe pjesë e “The Top List”. Gjatë intervistës Inis zbuloi se pëlqen të shkruajë tekste melankolike por a do ta ndryshonte ajo rrymën e muzikës së saj me kalimin e kohës? A do ta testonte veten?
Jam përpjekur, kam dy këngë që i kam realizuar kështu por nuk janë shumë unë, nuk ndihem shumë vetvetja. Nëse do ta bëj një ditë do ta bëj sepse duhet t’i përshtatem tregut dhe kaq.
Ajo para pak kohësh ka marrë edhe një ftesë për të përfaqësuar një tjetër shtet në Eurosong por nuk ka pranuar. Në Top Albania Radio Inis zbuloi arsyen se pse ajo nuk e ka pranuar këtë, duke shtuar se:
Tani është pak e vështirë faktikisht, të përfaqësosh edhe vendin tënd mendoj që është diçka me shumë peshë. Kështu që edhe për të përfaqësuar vendin e dikujt tjetër dhe nuk isha shumë rehat. Nëse do ta bëja do të doja shumë që të ishte për Shqipërinë dhe pastaj për një vend tjetër.