Prej 79 javësh “Top Awards”, përmes “The Top List” ka shpallur klasifikimin e 50 këngëve më të bukura të muzikës shqiptare, ku publiku falë votave të tij tregon se cilat projekte muzikore duhet të jenë pjesë e këtij klasifikimi si edhe pozicionimin e tyre.
Nga java në javë, vihen re ndryshime në renditje si edhe projekte që hyjnë në këtë klasifikim por disa prej tyre kanë mundur t’i rezistojnë për një kohë të gjatë këtij klasifikimi, duke u shndërruar në këngët më jetëgjatë në “The Top List”.
“Lejla”, bashkëpunimi i Elvana Gjatës, 2PO2 dhe Capital T është kënga që qëndron më gjatë në listë, saktësisht prej 34 javësh. Sa i përket kësaj jave, kjo këngë ka humbur 2 pozicione, duke u renditur në vendin e 31-të.
Prej 33 javësh, “Stoli i Trendafilave” i Alban Skënderaj, ka mundur t’i rezistojë prurjeve të reja. Falë votave të publikut, kjo këngë gjatë kësaj javë ka mundur të ngjitet me 6 pozicione, duke zënë vendin e 19-të.
Një tjetër këngë që ka korrur sukses është dhe projekti muzikor i artistit shqiptar me famë botërore Stanaj, “Romantic”, i cili prej 26 javësh ndodhet në “The Top List”. Duket se performanca e tij në “The Voice” ka patur reagime pozitive nga ana e fansave. Gjatë kësaj javë, “Romantic” pozicionohet në vendin e 25-të, duke u ngjitur me 1 pozicion.
Dedikimi i ëmbël i Shpat Dedës për gjyshen e tij, është një tjetër projekt që ka tërhequr vëmendjen e publikut. “Ninullë” prej 20 javësh është pjesë e listës zyrtare të “Top Awards”, ku për këtë javë renditet në venin e 8-të, një pozicion ky mjaft i rëndësishëm në “The Top List”.
Tre projektet që plotësojnë listën e këngëve që kanë qëndruar më gjatë në klasifikim janë “Suzi” e Blunt dhe Real, “Mos ik” e Ronela Hajatit si edhe “Kcen” e Majk”. Këto këngë kanë 19 javë që qëndojnë në “The Top List”, duke mos u mposhtur nga prurjet e reja nga java në javë.
“Suzi” përveçse ka shumë javë që qëndron në listë, ajo renditet në 5-shen e këngëve më të nxehta të “The Top List”, saktësisht në vendin e 4-t. Ndërsa për “Kcen” kjo javë ka rezultuar paksa fatale, duke humbur 8 pozicione por pavarësisht kësaj, ajo renditet në vendin 18-të. “Mos Ik” e Ronelës, nga ana tjetër, gjatë kësaj jave është ngjitur me 4 pozicione, duke u pozicionuar në vendin e 26-të.