Jemi në javën e 195-të të klasifikimit zyrtar të “Top Awards” dhe kjo renditje muzikore ende vazhdon të ketë një rëndësi mjaft të madhe në përzgjedhjen e këngës më të pëlqyer të publikut shqiptar dhe kjo falë votave të tyre.

Kemi patur një javë të qetë sa i përket “Top 5”, i cili është thuajse një pasqyrim i javës së shkuar, me një ndryshim shumë të vogël në vendin e 5-të. Pavarësisht ndryshimeve jo shumë të mëdha, dy këngë janë votuar pafund nga fansat, duke u futur në grupin e këngëve që janë ngjitur me më shumë pozicione këtë javë.

“E theve” e Inis Nezirit dhe “Dream Girl” e Butrint Imerit x Nimo janë dy këngët me më shumë pozicione të ngjitura këtë javë.

Edhe pse ka plot 17 javë që gjendet në “The Top List”, “E theve” e Inis Nezirit është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes këtë javë, duke u ngjitur me 79 pozicione nga java e kaluar. Për këtë javë “E theve” ka zënë vendin e 17-të.

Duket se për këtë sukses të këngëtarës shkak është bërë pjesëmarrja e saj në konkursin “New Wave 2019” në Rusi, e cila është shpallur fituese, duke u përballur me 12 këngëtarë të tjerë nga e gjithë bota.

Sa i përket bashkëpunimit më të ri të Butrint Imerit dhe Nimo, në javën e dytë të hyrjes në listë, fansat kanë votuar që kjo këngë të ngjitet sa më në majë të listës dhe ia kanë dalë. Falë mbështetjes së publikut, ky bashkëpunim ka zënë vendin e 21-të, duke u ngjitur me 78 pozicione nga java e kaluar.

Pavarësisht se ky projekt muzikor është bërë pjesë e “The Top List” pas një muaji publikim, fansat e kanë mbështetur këtë bashkëpunim sapo është futur në klasifikimin zyrtar të “Top Awards”.