Në një intervistë të dhënë disa muaj më parë për “Top Awards”, Kelly zbuloi se pas një pauze në muzikë kishte vendosur të rikthehej fuqishëm dhe duket se këngëtari po e mban premtimin.

Thuajse tre muaj pasi publikoi “One Night Stand”, Kelly ka publikuar projektin e tij më të ri muzikor, të titulluar “Melody”.

E publikuar në muajin dhjetor, Kelly, emri i vërtetë i të cilit është Florian, publikoi këtë këngë si dhuratë për festat e fundvitit. Edhe pse ka kaluar thuajse një muaj që nga koha e publikimit, “Melody” është bërë pjesë e listës këtë javë, duke u renditur menjëherë në vendin e 53-të.

I kontaktuar nga “Top Awards”, Kelly ka treguar detaje të reja lidhur me këtë këngë, që e ka sjellë Kelly-n, mjaft romantik.

TA: Keni vendosur të ktheheni romantik pas “One Night Stand”, pse kjo zgjedhje?

Kelly: “Melody” ishte një projekt i menduar për të ardhur në festat e fundvitit si një dhuratë Krishtindjeje për të gjithë ata që ndihen të dashuruar.

TA: Për çfarë flet kjo këngë?

Kelly: Kjo kënge i dedikohet dashurisë si një ndjenjë shumë e bukur që i ndodh njeriut. Janë fjalë të ndjera për ata që kanë dikë në zemër dhe janë të lumtur që janë bashkë por që i mungojnë shumë njëri-tjetrit kur janë larg.

TA: Pse keni zgjedhur titullin “Melody”?

Kelly: Në fakt titulli është gjëja e fundit që vendos kur mbaroj një këngë. Gjithmonë kur mbaroj një këngë marr pak kohë, e dëgjoj, mbyll sytë dhe kur mbaron kënga vendos titullin në bazë të ndjesisë që më jep kënga, gjithmonë duke u bazuar edhe në tekst. U quajt “Melody” pasi atë ndjesi më dha mbasi mbaroi. Një melodi që vjen nga zemra. Ashtu siç edhe në tekst thuhet: “……jetës mi dhe melodi”

TA: Kush është kujdesur për muzikën, tekstin dhe klipin? Ku është xhiruar ai?

Kelly: Muzika dhe teksti janë realizuar nga unë. Orkestrimi është realizuar nga Gent Myftaraj që e ka punuar me shumë dashuri këtë këngë. Gjej rastin ta falenderoj nga zemra për një punë të shkëlqyer. Klipi është realizuar nga Endi Hoxha, një regjisor gjenial, nga më të mirët në treg, të cilin sërish e falenderoj për klipin e veçante që ka realizuar. Xhirimet janë bërë në Berlin. Në vendet më të bukura të tij. Jemi munduar të sjellim një frymë të re në video duke dalë paksa nga klipet standarte. Duke sjellë më shumë art sesa vulgaritet.

TA: Bëheni pjesë e “The Top List” një muaj pas publikimit të këngës, mendoni se duhet të punoni më shumë për “suksesin”, përmes rrjeteve sociale?

Kelly: Kënga është publikuar më datë 25 dhjetor me rastin e Krishtlindjeve dhe për arsye të impenjimeve të mia nëpër koncerte në festat e fundvitit, nuk mori promovim e duhur. Mbase edhe fakti që unë nuk iu kushtoj ndonjë rëndësi të veçantë rrjeteve sociale dhe e kam shpërndarë me vonesë këngën. Ndoshta kjo bëri që fansave të mi t’ju duhej pak kohë për ta njohur dhe përqafuar si projekt. Ky është një tregues që duhet të jem më aktiv në rrjetet sociale.

TA: Që në javën e parë të futjes në klasifikimim, jeni renditur në vendin e 53-të, një pozicion mjaft i mirë për listën prej 100 këngësh, a është ky për ty një tregues që kënga po pëlqehet nga publiku shqiptar?

Kelly: Sigurisht që po, është një vlerësim që publiku e bëri këngën “Melody” pjesë të “The Top List” dhe që është pozicionuar që javën e parë të hyrjes në vendin 53-të. Gjej rastin të falenderoj këdo që votoi për këtë projekt. Kjo tregon se njerëzit e vlerësojnë muzikën që bëhet për shpirtin dhe jo për portofolin.

TA: Cili është reagimi juaj kur dëgjon këngën tënde në një klub nate?

Kelly: Patjetër që është kënaqësi, madje disa Dj po punojnë për versionin “remix” të kësaj kënge, çka do të thotë që do e dëgjoj më shpesh nëpër klubet e natës, jo vetëm në rastet kur jam unë ai që e këndoj.

TA: Keni menduar për projektin e radhës?

Kelly: Në fakt që prej shtatorit të kaluar, kohë në të cilën publikova “One Night Stand”, kam vendosur të rikthehem e të jem më aktiv me projekte që do vijnë të shoqëruara me klipe, për të qënë më afër publikut që më ndjek nga ekrani, pasi për shumë kohë isha fokusuar me publikun që më ndiqte “live” nëpër klube të ndryshme. Projekti i radhës besoj se do të vijë në muajin mars.