Në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar moderatorja shumë e dashur për publikun dhe jo vetëm, Enxhi Nasufi. Enxhi pas eksperiencës në “DWTS” nga ku doli dhe triumfatore ka nisur një tjetër eksperiencë, atë të moderimit të “BBV Fan Club”. Si nisi e gjithë gjëja për Enxhin?

Kur m’u propozua isha shumë e lumtur. E kam manifestuar në kokën time pavarësisht se nuk e kam shprehur. Pasi më erdhi ftesa nuk e mendova dy herë por pranova menjëherë. Unë jam në ekran çdo mëngjes me “Wake Up” por është sfiduese të mbash një emision të tërin vetëm, më pëlqejnë sfidat. Puntata e para ishte shumë mirë mendoj. Është kënaqësi dhe përgjegjësi e madhe për mua. Kam pafundësisht gjëra për të përjetuar dhe mësuar gjatë këtij rrugëtimi. Është format delikat, përfshihen emocione njerëzish që janë jashtë, familjare apo miq dhe në të gjithë këtë përfshirjen lehtësisht mund të gabosh. Siç ishte rasti me shoqen e Ledjonës e cila erdhi me një vendim gjykate, me një voice në telefon ku flitej për dhunë. Për mua si moderatore është thikë me dy presa. Duhet të jesh emocionale por jo edhe aq. 

Si i ka marrëdhëniet Enxhi me dy opinionistët e “BBV Fan Club”, Ina Kollçaku dhe Ronaldo Sharka?

Më pëlqen sepse janë po aq sa të ndryshëm po aq edhe njësoj. Nuk ju shpëton gjë, janë pikantë, duhet të jenë në fakt sepse diskutohen gjëra të ndryshme. Kemi marrëdhënie të mirë me njëri-tjetrin. Mendoj që edhe puntatat e tjera do të shkojnë edhe akoma më mirë. 

Eksperienca në “DWTS”, Enxhi rikujton ndjesitë e fitores…

Më ka lënë një shije të mirë edhe pse ishte shumë sfiduese. Eksperienca dhe fitorja më kanë zgjuar fëmijën brenda vetes, atë fëmijën që e dashuronte shumë muzikën dhe kërcimin. Është një dhuratë e madhe për mua të më zgjohet fëmija përbrenda. Atje kuptova që balerinët kishin llogaritje komplet ndryshe nga ne këngëtarët. Kur bën diçka që nuk është e fushës tënde e ke gjithë kohës mendjen tek hapat.(qesh) Në fillim është mekanike.

Formati që Enxhi ka përzemër dhe dëshirë për të qenë moderatore?

Do të doja një format që ka të bëjë me muzikën ose musical që ka edhe këngën edhe kërcimin. Do të doja shumë të rikthehej “The Voice”. Si dëgjuese, shikuese dhe me shumë dëshirë do ta doja një format të tillë. Do të doja edhe një format si Top Fest-i. Top Fest-i ka nxjerrë dhe suportuar shumë artistë të rinj.

A do të vijë Enxhi me projekte të reja në muzikë?

Kam hyrë në studio për të punuar, dashuria ime për artin ka nisur të ndizet dhe besoj se do ta rigjejë veten edhe te muzika. Tregu është pak lëmsh tani. Do të doja që të ngulmoja, të punoja pak me njerëzit e mi në studio që të arrijmë një pikë të kënaqshme që të jetë e pelqyeshme për njerëzit.

Me cilët artistë të huaj apo shqiptarë do të donte të bashkëpunonte Nasufi?

Të huaj por që janë me origjinë shqiptarë do të doja shumë Dua Lipa-n dhe Rita Ora-n. Pastaj nga artistët tanë do të kisha shumë dëshirë me Elvana Gjatën, Dafina Zeqirin, Alban Skënderaj.