Ai është një tjetër shqiptar që po korr një sukses të madh në arenën ndërkombëtare. Bëhet fjalë për këngëtarin me origjinë shqiptare, Jon Tarifa, i cili prej vitesh jeton në Holandë.

Rreth 3 javë më parë, artisti ka publikuar projektin e tij më të ri muzikor, i cili përçon një mesazh të rëndësishëm. “Stop For A Minute” titullohet kënga më e re e Jonit, falë të cilës është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List” për herë të parë.

I kontaktuar nga “Top Awards”, Tarifa ka zbuluar më shumë sa i përket këtij projekti muzikor si edhe planet që ka për të ardhmen.
TA: Si lindi ideja për “Stop For A Minute”? Klipi ku është xhiruar?

Jon Tarifa: Ky videoklip është xhiruar në Berlin, Bruksel, Stamboll dhe në Paris, por ka dhe qytete të tjera ku njerëzit kanë vuajtur dhe janë prekur nga sulme terroriste. Zemrat tona shkojnë për viktimat dhe njerëzit e tyre më të dashur që kanë vuajtur nga këto akte ç’njerëzore. Ne i japim homazhet tona të gjithë atyre. Por frika duhet pushtuar, jeta duhet jetuar dhe shijuar deri në maksimum. Shpresoj që kjo është ajo që kënga ime “Stop for a minute” ju inspiron të bëni.

TA: Pse zgjodhët këtë titull?

Jon Tarifa: Unë dua që bota të “ndalojë” për një minutë dhe të hapim sytë e të shohim se sa shumë ka jeta për të ofruar. Kemi harruar të vlerësojmë gjërat e thjeshta por ka shumë për t’u gëzuar dhe lumturuar çdo ditë në jetë.

TA: Përveçse muzikës së bukur, këngët e tua gjithmonë përçojnë një mesazh, pse kjo zgjedhje?

Jon Tarifa: Noramlisht, unë i shkruaj këngët e mia rreth gjërave që shoh, ndiej dhe gjërat që përjetoj. Besoj se të gjithë kanë një histori ose ngjarje për të treguar, unë e tregoj timen prej muzikes që bëj. Por në fakt, qëllimi im kryesor është që të frymëzoj njerëzit për të ndjekur ëndrrat e tyre dhe për ta parë jetën nga një pikëpamje pozitive.

TA: Kush është kujdesur për muzikën dhe tekstin?

Jon Tarifa: Muzikën, si edhe tekstin e këngës “Stop for a minute” e kam punuar dhe shkruar unë së bashku me tre kompozitorë të njohur dhe shumë të talentuar nga Holanda, të cilët më kanë ndihmuar shumë për të arritur qëllimin e kësaj kënge.

TA: Planet tuaja për të ardhmen?

Jon Tarifa: Unë kam shumë dëshirë të lançoj disa këngë të reja së shpejti, por kam planifikuar edhe që t’i shmangem dimrit duke udhëtuar me gruan time (Kimberly) nëpër Azi për një periudhë pak më të gjatë se pushimet që bëjmë zakonisht. Kemi vendosur të vizitojme Tajlanden, Kamboxhia, Vietnam dhe Indonezinë, ku do kalojmë një periudhë të kohës në Bali.

TA: Si ndiheni që jeni pjesë e klasifikimit të “The Top List”?

Jon Tarifa: Jam shumë i lumtur sepse kjo është hera e parë që unë marrë pjesë në klasifikimin e “The Top List” dhe e konsideroj veten të privilegjuar. Siç mund ta dini, unë jetoj prej shumë vitesh në Holandë dhe jam shumë aktiv në skenën muzikore Holandeze, por zemra ime dhe shpirti im janë gjithnjë, ditë e natë në Tiranë, qyteti ku unë kam lindur.

TA: Një mesazh për fansat besnikë…

Jon Tarifa: Ju falenderoj shumë për dashurinë, mbështetjen tuaj dhe për besimin që keni tek unë. Pa ju, kjo eksperiencë nuk do të ishte kurrë njësoj.

TA: Cili mendoni se do jetë pozicioni juaj javën e ardhshme?

Jon Tarifa: Nuk jam shumë i sigurt por shpresoj që të jem ngjitur disa vende më lart.