Ibro Deli prej 6 vitesh merret me muzikë dhe numëron disa projekte muzikore, por nga ana tjetër njihet dhe si një artist multidimensional, tekstshkrues, këngëtar, dizenjues, krijon video dhe çdo gjë që lidhet me art. Ai ka publikuar këngën e tij më të re të titulluar “Toxic” që është bërë pjesë e 100 këngëve më të mira shqiptare në “The Top List”, Top Awards. Ibro ka qenë i ftuar nëpërmjet një lidhjeje telefonike për “Live From Tirana”, ku ka folur më shumë për këtë këngë dhe jo vetëm…
Si erdhi kënga “Toxic”?
“Toxic” është kënga e fundit që është publikuar prej meje. Është gjak i ri (qesh). Kjo është mënyra ime për të prezantuar diçka të re interesante nga vetvetja, larg shabllonit. Kjo është diçka se çfarë ti do të prezantosh. Tekstet i shkruaj vetë, vijën melodike e bëj vetë, por gjatë rrugës marr dhe mendime të tjera. Mundohemi të bëjmë një bashkëpunim për të dalë diçka shumë e bukur.
Si e kanë pritur njerëzit këtë projekt?
Mendimet e njerëzve të tjerë i marr por nuk është se bazohem shumë. Unë bëj atë që unë pëlqej. Por sigurisht që marr mendim nga të tjerët për të ditur se çfare pëlqejnë apo si pritet.
Ke në plan të sjellësh projekte të tjera gjatë verës përveç “Toxic”?
Janë shumë projekte të tjera që do të vijnë gjatë verës. Jam shumë i çliruar dhe mezi po pres sa të dalin dalëngadalë. Nuk preferoj të bëj plane, do t’ia lë spontanitetit. Në momentin që i krijoj, i publikoj direkt dhe nuk po i mbaj në arkivë.