Një javë bashkëpunimesh kjo në “The Top List”. Plot katër duete i bashkohen listës. Ja se cilat janë…

Bashkëpunimi i shumëpritur mes Rozana Radit dhe Redon Makashit në këngën “Gjallë” është një nga ato projekte që nuk vjen thjesht si publikim muzikor, por si një moment i rrallë emocional për publikun shqiptar. Një këngë që bashkon dy zëra me histori, peshë dhe ndjeshmëri të thellë artistike. “Gjallë” u prezantua për herë të parë për publikun në skenën e “Big Brother VIP 5”. E tashmë ky projekt është votuar maksimalisht nga fansat duke bërë që t’i bashkohet klsifikimit të “The Top List” këtë javë.

Ardit Çuni dhe Samanta Karavella, kanë vendosur të bashkojnë forcat për të na sjellë atë që po kthehet me shpejtësi në baladën e preferuar të momentit. Projekti i tyre më i ri i përbashkët, i titulluar “Ende të dua”, është publikuar vetëm para pak ditësh dhe ka hyrë këtë javë në klasifikimin e “The Top List”. Dyshja ka një kimi fantastike profesionale dhe një miqësi shumë të ngushtë. Tashmë ata e kanë përkthyer gjithë këtë energji në një projekt muzikor që flet vetë dhe po prek zemrat e publikut.

Skena muzikore shqiptare vazhdon të sjellë bashkëpunime interesante dhe një ndër më të fundit është rikthimi i këngës “Dy Buzë” nga Olimpia Smajlaj. Këtë herë artistja ka zgjedhur ta prezantojë projektin në një version të ri, në bashkëpunim me reperin Nonejm, duke i dhënë këngës një energji dhe dimension krejt tjetër. “Dy Buzë”, e njohur më parë nga publiku për melodinë e saj emocionale dhe interpretimin karakteristik të Olimpia Smajlaj, rikthehet tashmë me një frymë më moderne.

Në industrinë muzikore shqiptare, bashkëpunimet e papritura shpesh janë ato që krijojnë më shumë kureshtje. Kur dy artistë që vijnë nga botë të ndryshme muzikore bashkohen, rezultati mund të jetë ose një eksperiment i çuditshëm, ose një surprizë e këndshme. Bashkëpunimi mes Sardi Strugaj dhe Bletapërtace rezultoi pikërisht kjo e dyta. Një ndërthurje që jo vetëm funksionoi, por edhe goditi në shenjë.