Drilona Musa është një këngëtare e re në moshë por me një zë potent që e bën të duket sikur ka një jetë në skenë. Së fundmi ajo ka publikuar këngën e saj të re me titull “How could you”, e cila është bërë pjesë e Top Awards. Ajo ka publikuar edhe këngë të tjera më herët ku ka spikatur për stilin e veҫantë që e bën menjëherë të identifikueshme. Rreth 2 vite më parë Drilona me origjinë nga Mitrovica arriti në finalen e ‘The Voice of Switzerland’ pasi ajo është rritur dhe jeton në Basel të Zvicrës. Mëngjesin e sotëm ajo ka qenë e ftuar në “Wake Up” për të na njohur më shumë me të…
“Si munde ti”, një këngë shumë e ndjerë që e ke sjellë me një ndërthurje të tekstit në shqip dhe anglisht. Pse ky kombinim apo të vjen natyrshëm?
Nuk është taktikë, por më vjen natyrshëm. Më vjen natyrshëm sepse i krijoj dhe vetë tekstet dhe ndikon dhe fakti që më së shumti dëgjoj këngë në anglisht.
Cili është mesazhi kryesor që ke dashur të përcjellësh tek publiku përmes këtij projekti kaq të këndshëm muzikor?
Këngët që i këndoj i ndjej shumë, janë këngë emocionale, të cilat njerëzit që i dëgjojnë i përjetojnë. Unë nuk bëj këngë për club-e, nuk është stili im. Kënga nuk është një dedikim apo histori personale, por më shumë situata të shpikura. Kënga është dhe si mllef, tregon pak inate për ato që kanë qenë në një situatë të ngjashme.
Lidhur me klipin e kësaj kënge, ka qënë ideja jote për një natë me shi? Keni patur vështirësi për të realizuar skenat?
Skena me shi ka qenë ide e video-produksionit. Më pëlqen sepse të kujton pak ato videot e hershme, me skena me shi. Brenda një dite e kemi mbaruar klipin dhe nuk patëm vështirësi.
Ti ke një stil shumë të dallueshëm nga artistët e tjerë, duket qartë që ty të frymëzojnë vetëm artistët e huaj, por cilët konkretisht?
Nuk kam inspirim vetëm nga dikush. Frymëzohem nga shumë muzikë të ndryshme. Amy Winehouse ka qenë e para që më ka ndikuar. Dëgjoj gjithashtu edhe shumë muzikë indiane, edhe ajo më inspiron mua.
Dy vite më parë arrite në finalen e “The Voice of Switzerland” dhe ky ishte një sukses i madh për ty. Ishte kjo ekperiencë që të hapi rrugën në muzikë, duke qënë se nuk kishe marrë pjesë më parë në kompeticione?
Edhe pse në Zvicër nuk ka industri të madhe të muzikës, besoj se për të gjithë që kanë marrë pjesë aty ka qenë një super eksperiencë. Besoj se na ka hapur edhe dyer.
A ke një artist në Shqipëri apo në Kosovë me të cilin do të doje që të realizoje një bashkëpunim?
Nuk e di çfarë të them, e kam menduar por vërtetë nuk më shkon në mendje një artist. Pak e vështirë sepse nuk dëgjoj dhe shumë muzikë në shqip. Ne kemi dhe shumë këngë komerciale…
Sa e fiksuar je pas klikimeve duke qënë se veҫanërisht për artistët e rinj janë shumë të rëndësishme, madje janë të shpeshta rastet që i blejnë pa asnjë kursim?
Klikimet nuk më bëjnë shumë përshtypje sepse ato mund të blihen. Ajo që vlen për mua është fakti që “How could you” po dëgjohet në çdo vend.
Po lidhur me komentet që të bëjnë në rrjetet sociale, të cilat janë të pashmangshme për ҫdo personazh publik, a i lexon të gjitha? I merr në konsideratë apo edhe të bezdisin?
Në përgjithësi nuk marr shumë komente sepse jam këngëtare e re dhe nuk më njohin shumë. Por nuk më bëjnë përshtypje.