Këtë javë në klasifikimin e “The Top List” do të njihemi me dy emra të rinj në listën e Top Awards. Është fjala për Drilonën dhe Snovv, të cilat kanë publikuar projektet e tyre “Count on me” dhe “Amour”. Por kush janë këto artiste?

Drilona ka lindur në vitin 1993 në Kosovë por është rritur në Zvicër. Muzikën e ka pasur gjithmonë “në gjak” si femijë, e cila është marrë me këndim dhe vallëzim. Kur ishte adoleshente ka inçizuar covera dhe i ka publikuar në rrjete sociale. Në vitin 2020 ka marrë pjesë në “The Voice of Switzerland” dhe ka arritur deri në finale. Pastaj në po të njëjtin vit ka publikuar këngën e saj të parë “M’lshon zemra” dhe më 28 janar 2022 ka publikuar këngen e dytë “Count On Me”. Inspirohet kryesisht prej zhanreve R&B, Soul, Pop. Ndërsa këngët e saj i shkruan vetë duke e miksuar gjuhën shqipe dhe gjuhën angleze.

Fjolla Raçi, lindur më 22 Dhjetor 1999, e njohur profesionalisht si SNOVV, është një artiste shqiptare që jeton dhe vepron në Prishtinë, Kosovë ku edhe vazhdoi studimet për muzikë duke e profesionalizuar talentin e saj. SNOVV së pari fitoi njohjen në vitin 2019 me projektin e saj të parë “Chill” e zhanrit “trap” që është nënzhanër i Hip-Hop ku tekstet karakterizohen sipas stileve të jetesës dhe kulturës në përgjithësi. Përderisa muzika është një pjesë e pashmangshme e saj, duke e ndjekur kështu që nga mosha 10-vjeçare, ajo nuk ndaloi duke realizuar projekte të reja.

Në të njejtin vit, ajo lançoi një këngë tjetër që e titulloi “Salvador”. Ky projekt u realizua në shtetin e Kinës, duke sjellë një energji tjetër. Në vitin 2020, SNOVV debutoi edhe dy këngë tjera, të titulluara “UZI A.K.A” dhe “Alo Alo” me stilin e veçantë të muzikës dhe teksteve.

SNOVV e njohur tanimë si një “trap artiste” dhe autore e teksteve, ku shfaqte konfidencën, stilin e jetesës dhe synimet për të arritur. Në vitin 2021 vendosi që të shfaqte një anë tjetër të saj, një anë të butë, duke i kënduar dashurisë. Këngën e titulloi “Peng”, që ishte “melodic trap” dhe u mirëprit menjëherë nga publiku i saj, edhe pse ishte një frymë pak më ndryshe se që ishin mësuar të ndëgjonin nga SNOVV. “Amour” është projekti i saj i fundit i publikuar. Në këtë këngë ajo shkruan për temën e dashurive të humbura. Ndjesitë e shkrira në fjalë dhe një melodi e lehtë karakterizon suksesin e kësaj kënge.