Një album i ri, që si asnjëherë më parë do të sjellë në treg me 7 prill, jo pak por plot 22 këngë, të rrymave e stileve të ndryshme Love Story, Gansta/Jeten/Club/Reggea/AfroBeat… Shumë bashkëpunime, me producentë e këngëtarë të suksesshëm. Mes tyre, e vetmja vajzë është Elvana Gjata, të cilën Noizy e konsideron tashmë pjesë të grupit.

Por ALPHA-n s’është më thjesht një album, por një brand që u lançua me koncertin e madh në sheshin “Nënë Tereza”, traditë kjo që do të vijojë edhe këtë verë, në gusht, në stadiumin “Air Albania”. Por deri atëherë duket se Noizy do ta trondisë përsëri tregun me këngët e tij të reja, me albumin e tij të ri.

Tekstet e të 22 këngëve Noizy i ka shkruar të gjitha vetë ndërsa për muzikën ka bashkëpunuar me producentin e tij Engli Versal, por dhe me të tjerë producentë të huaj e shqiptarë. Siç dhe ka nisur t’i bëjë paksa publike, përmes postimeve të tij në Instagram, video që bëhen padiskutim virale, bashkëpunimet me këngëtarët do të jenë të shumta siç është ajo me Ylli Limanin, Mc Kreshën, Varrosin, Stinen, Camorrën etj… E vetmja vajzë mes tyre është vetëm Elvana Gjata.

“Nuk kishte shanse të mungonte Elvana në një album që quhej “ALPHA”, “she is a real ALPHA”. Pavarësisht të kaluarës unë gjithmonë kam gëzuar respekt dhe dashuri për ikonën e muzikës shqiptare, sepse të mbijetosh në një treg ku talentet e reja dalin çdo vit nuk është gjë e lehtë. Elvana është shembulli perfekt për t’u marrë. Punon fort, është e dedikuar dhe superprofesioniste”, është shpehur Noizy.

Puna për këtë album ka nisur që në mesin e pandemisë. Ju desh shumë kohë për ta finalizuar sepse siç ai vetë e thotë:

Gjërat e bukura duan kohën e tyre, pastaj fakti që janë jo pak por 22 këngë, një pjesë e të cilave janë bashkëpunime me kolegë, duhej të gjenim kohën të gjitha palët, për të hyrë në studio. E ka shumë dhe nga ato rastet që edhe kur gjeja kohë të hyj në studio, qëllonte që ajo s’ishte dita më e mirë për krijimtari dhe kështu del siç ke hyrë, pa bërë asgjë… e kështu të zë rrota bishtin dhe pa dashur gjëja zvarritet e zvarritet…

Por ja më në fund albumi është gati. Por të gjithë e dimë tashmë se ALPHA s’është më thjesht një album por një brand që Noizy e prezantoi në gushtin e vitit që shkoi me koncertin gjigand me të cilin pushtoi Sheshin “Nënë Tereza” si kurrë ndonjëherë më parë. Albumi do të lançohet më 7 prill, kjo tashmë dihet qartë. Po a do të ketë një “Alpha Show 2” këtë vit? Noizy është po aq i qartë kur jep përgjigje edhe për këtë:

Po, “ALPHASHOW 2” do të jetë padiskutim edhe këtë verë, më 4 Gusht në Stadiumin AirAlbania. Do të keni surprizën më të bukur, ju premtoj!