I ftuar në ‘Lancio’ në Top Albania Radio ishte artisti Franc Koruni. Përpos çfarë e inspiron më së shumti këngëtarin dhe çfarë fshihet pas krijimtarisë së tij, ai na foli dhe rreth koncertit të mbajtur për albumin e tij më të ri ‘Ky modernizim’.
Ky nuk është albumi i parë i Francit, pasi 3 vite më parë ai ka publikuar një tjetër album. Por, çfarë diferencon artisti nga secili prej tyre?
‘Kush është çmendur’ është albumi i parë. Kur e kam kënduar ishte fund shtatori dhe kam luajtur me këmishë. Po binte shi dhe lidhej dhe me kontekstin e shumë këngëve sepse e kam përmendur shumë shiun. Te ky album nuk ka shi, ka më shumë imagjinatë, është më me ngjyra. Më duket sikur përgjigjen e ‘Kush është çmendur’ po e jep albumi i dytë.
Cili është inspirimi i Franc Korunit dhe pse nuk është ai shumë ‘pro’ këngëve të dashurisë?
Këngët e dashurisë janë shumë të shpeshta. Gati-gati të duket sikur kur bën një këngë duhet ta bësh me subjekt dashurie. ‘Dashuri në pentagram’ është një këngë totalisht e dedikuar dhe mund të jetë kënga më e mirëfilltë e dashurisë që kam. Dashuria, gjithçka ndikon te unë. Më pëlqejnë dramat, më duket sikur e kërkoj ndonjëherë melankolinë kastile. Të bën të krijosh më shumë. Dhimbja është e thellë.
Artisti gjithashtu na tregoi më shumë për albumin e tij më të ri.
Më kanë ndihmuar miq profesionistë për koncertin dhe për albumin në përgjithësi. Ka patur nevojë për shumë elementë pasi ka 3 vite që punohet për albumin. ‘Ky modernizim’ ka strofkulla dashurie, nuk është album dashurie por ka elementë. Te kënga ‘Ky modernizim’, pjesë e albumit kam dashur të them që nuk është jeta ajo që forca e zakonit të ofron të bësh. E kam parë botën e iluzionit në bisht të syrit gjithë kohës. Shumica e njerëzve jeton atë që i ofron shoqëria. Të mendosh gjëra përtej asaj që ofron shoqëria është e shëndetshme sepse zbulon gjëra qe nuk mendoje se i kishe brenda vetes tënde. Arti të ndihmon. ‘Ky modernizim’ do të promovohet te salla e ‘Liceut Artistik’. Do ketë dhe artistë si Bojken Lako, Mariza Ikonomi e të tjerë.
A është muzika sipas Francit një mundësi për të fituar të ardhura?
Mund ta përdorësh muzikën për të fituar mirë, por kjo nuk duhet të jetë fokus sepse rrezikon që këngët të të dalin këngë kartëmonedhash. Është e rëndësishme të shfrytëzohet teknologjia. Keto që duken sikur janë antivlera mund të përdoren për mirë.