Muzika tradicionale shqiptare gjithmonë ka patur një vlerë shumë të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Edhe pse shumë vite kanë kaluar nga krijimi i tyre, njerëzit janë munduar ta ruajnë atë duke e trashëguar brez pas brezi.
Influenca e kësaj muzike duket sikur ka marrë përhapje të gjerë edhe në industrine e sotme të muzikës, ku artistët sjellin mjaft bukur një gërshetim midis tradicionales dhe modernes. Kohët e fundit kemi hasur shpesh në tregun muzikor rikthimin e këngëve të vjetra popullore dhe jo vetëm, me një frymë të re dhe më të freskët. E në fakt ky trend nuk ekziston vetëm në Shqipëri, por edhe në tregun e huaj.
Në fakt, deri tani kjo ka rezultuar mjaft e suksesshme. Por kush mund ta mendonte se pikërisht kënga “Balluke prerë” do të ishte ndër më të preferuarat e producentëve për të sjellë një rikrijim modern!
Një këngë verore ku i këndohet bukurisë femerore shqiptare fundja nuk mund të gabojë kurrë. Ishte fillimisht Saix ai që e solli i pari këtë hit të ripunuar në një mënyrë fantastike, me një frymë të freskët dhe shumë verore.
Pas tij, Don Phenom solli “Trëndafil me erë”, po ashtu bazuar në këtë këngë të vjetër. Artisti e ka sjellë një copëz të këngës duke e gërshetuar me rrymën e tij më kontraversionale duke e kthyer në rrep.
Së fundmi, vetëm pak ditë më parë, Ardian Bujupi në bashkëpunim me The Ironix, sollën “Yarnana”. Versioni i tyre u kthye në një kohë shumë të shkurtër në një hit, këngë tipike verore për të na shoqëruar në këto ditë të nxehta.
“Yarnana” mori votat e shumta të publikut që në javën e parë të publikimit duke u renditur menjëherë në vend të parë të “The Top List”. Këto tre projekte të këtyre artistëve janë në rryma shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, kanë krijuar impakt të ndryshëm dhe elementë ndryshe, por e vetmja që i lidh bashkë është vetëm dashuria e përbashkët me këtë këngë popullore. Ku i dihet, mbasr shumë shpejt do ta dëgjojmë të rikrijuar edhe nga ndonjë artist tjetër…