Ka kaluar më shumë se një vit që nga publikimi i fundit i Evi Reçit por duket se pas kësaj shkëputje në muzikë, ajo është rikthyer më e fortë se kurrë.

Rreth 5 ditë më parë, ajo ka publikuar projektin më të ri muzikor të titulluar “In My Room”. Duket se rikthimi i artistes është pritur shumë mirë nga fansat e saj, pasi përmes votave të tyre, Reçi është bërë menjëherë pjesë e “The Top List”. Edhe pse është java e parë në këtë renditje, “In My Room” ka arritur të pozicionohet mjaft mirë në klasifikimin e këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, Evi ka zbuluar disa detaje për këngën e saj të fundit, për projektet që ka në të ardhmen si edhe për kënaqësinë e të qënurit në “The Top List”.

-Sa kohë kanë kaluar nga projekti yt i fundit muzikor?
Projekti i fundit ka qënë në 2015 me këngën “Merr guximin” (fër fër fër), nën stilin e “retro-pop”.

-Të ka munguar muzika?
Muzika nuk më mungon pasi e bëj gjithmonë por më mungon paraqitja ime televizive.

-Prej disa kohësh ti punon në një nga gazetat më të famshme të shtetit fqinjë Itali, me çfarë merreni ekzaktësisht?
Jam pjesë e redaksisë tek “Repubblica” e Firences.  Aty mund të shkruaj për çdo gjë, nga aktualiteti, arti, eventet deri edhe tek kronikat. Përveçse shkruaj artikuj merrem shumë dhe me imazhet që do përdoren në artikuj apo galeritë fotografike për uebsajtin e gazetës.

-Kush është më e rëndësishme për ty gazetaria apo muzika?
Muzika është motivi im, gazetaria është një tjetër degë që e kam përqafuar pa e anashkaluar muzikën.

– “In My Room”, kush është marrë me produksionin, muzikën, tekstin?
Muzika është nga Bojken Lako me “Black Producers” ndërsa teksti nga Angel Bliss. Produksionin e videos ia kam besuar një studioje italiane “Blanket Studio”, me drejtor artistik Joni Baci Alizoti.

– Një këngë me tekst anglisht, pse jo në gjuhën shqipe?
Për eksperiment edhe sepse nuk kisha një këngë në anglisht. Plus që muzikës “elektro pop” që zgjodhëm, gjuha angleze i qëndronte më mirë.

– Si kanë reaguar fansat për këtë rikthim në muzikë?
Tepër mirë! Madje pati dhe një impakt të mirë dhe në shumë artistë apo personazhe të tjerë të medias. I falenderoj të gjithë për vlerësimin që kanë për mua.

– Cilat do jenë projektet muzikore që do të pasojnë “In My Room”?
Kam ndërmend të vazhdoj këtë rrymën “electro pop” me këngë të reja, video dhe ndonjë bashkëpunim me një artist tjetër.

– Që në javën e parë të publikimit, jeni bërë pjesë e “The Top List”, si ndiheni për këtë?
Jam vërtet shumë e lumtur që jam pjesë e një liste prestigjoze sa kjo e Top Awards. Shpresoj që kënga të shkojë sa më lart!

-Një përshëndetje për të gjithë fansat që të kanë votuar.
Faleminderit nga zemra ata që e pëlqyen këngën dhe videon si edhe ata që e votuan! I përqafoj fort!”