Rozana Radi ishte e ftuar në emisionin “Pardon My French” menjëherë pas daljes së saj nga Big Brother VIP Albania, ku ndau përjetimet, sfidat dhe emocionet e eksperiencës së saj brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri. Në një atmosferë të çlirët dhe miqësore, ajo foli me sinqeritet për marrëdhëniet me banorët, arsyet që e shtynë të bëhej pjesë e formatit dhe reflektimet pas daljes. Emisioni solli edhe momente humori, analizë dhe mendime personale nga Rozana, duke ofruar një këndvështrim të freskët mbi rrugëtimin e saj në BBVA.

Në një mbrëmje plot emocione dhe surpriza, fitorja e “Big Brother VIP 4” shkoi për Gjestin, duke lënë pas Rozana Radin, e cila ishte konsideruar gjerësisht si një nga pretendentet kryesore për çmimin e madh. Pavarësisht performancës së saj të fortë dhe mbështetjes së gjerë nga publiku, Rozana u rendit e dyta, ndërsa Gjesti arriti të fitojë zemrat e votuesve dhe të kurorëzohej fitues i edicionit. Në lidhje me mbështetjen e banorëve të tjerë për Gjestin, ajo u shpreh:

Absolutisht. Ata nuk e kanë dashur Gjestin, se shiko po ta donin ata Gjestin ashtu siç thonin pasi përfundoi që u bënë të gjithë me Gjestin, nuk e kanë thënë ndonjëherë ose të shprehin ndonjë kënaqësi për lojën e Gjestit. Ajo që ka thënë që Gjesti është lezeti i shtëpisë e kam thënë unë pikërisht kur nuk flisja me Gjestin. Domethënë gjërat i kam thënë të vërteta. Këta tani që mbaroi shfaqja, o sa e bukur që ishte darka. Këtë kanë bërë me Gjestin ata. 

Është e mërzitur që nuk doli fituese?

U mërzita, sigurisht që u mërzita. Normal që u mërzita, por unë i kam thënë Gjestit përpara se të shpallej çmimi kur ishim në shtëpi pa fikur dritat, i thashë ‘Gjest dëgjo, kushdo që ta fitojë për mua është mëse e merituar. Si e fitove ti, si e fitova unë, ky çmim nuk preket më me dorë’. Dhe nga ai moment, pasi Gjesti e fitoi, unë çmimin e Gjestit nuk e preka më me dorë. Ta gëzojë, uroj që t’i shkojë mbarë edhe t’i shërbejë si një trampolinë shumë e madhe në jetën e tij.

Cili banor ka qenë rival për të?

Unë nuk kam patur rival. Unë rivalitetin e kam patur me veten time. Unë jam munduar të bëj një lojë të pastër, me letra të hapura. E kam thënë gjithmonë.

Në lidhje me mbështetjen dhe komentet e publikut për pjesëmarrjen e saj, Rozana u shpreh:

Unë kam natyrën pak, ma thonë edhe shoqet që kur futem në një lokal njerëzit thonë ‘sa e egër kjo’, dhe në momentin që ulen me mua në tavolinë ndryshojnë atë perceptimin që kanë pasur për mua. Kështu ka qenë edhe babai im. Ka pasur një portret shumë të egër, por ndërkohë natyrën e ka pasur shumë të çiltër. Mendoj që në fillim nuk jam kuptuar dhe më mirë le të them që ne shqiptarët duam që t’i biem pak rrotull dhe mos t’i themi gjërat në sy, edhe kur meritojmë të marrim një gjë të vërtetë e zbukurojmë atë të vërtetën sepse na duket sikur na dhemb më pak. 

Më tej, ajo shtoi:

Ndoshta nuk jam kuptuar për vetë faktin që nuk i pëlqen e vërteta edhe ndonjëherë duan ta mbulojnë me rërë atë të vërtetën. Unë jam një njeri që i them gjërat ashtu siç i mendoj, ashtu siç janë. Jam e drejtëpërdrejtë dhe mendoj që njerëzit që i duan gjërat e vërteta, që i duan njerëzit e pastër si uji, mendoj që më kanë kuptuar. Ato që nuk më kanë kuptuar them ta shohin edhe njëherë Big-un.

Sipas saj, përse ajo në disa raste është cilësuar si antagoniste e këtij edicioni?

Ato që më thonin antagoniste nuk e dinin as kuptimin e fjalës, kështu që unë nuk i ktheja dot përgjigje.