Era Istrefi është rithyer pas gati një viti mungesë në “The Top List”. “Mona Lisa” është projekti i saj më i ri që i është bashkuar klasifikimit të kësaj jave.

Këngëtarja e njohur e showbiz-it shqiptar me ndikim global, Era Istrefi, ka publikuar më në fund këngën e saj më të re “Mona Lisa”. Era prej kohësh e kishte paralajmëruar këtë këngë duke publikuar një sërë imazhesh nga videoklipi.

E ja ku erdhi momenti i duhur për t’ia dhuruar këtë këngë të gjithë fansave të saj që po e prisnin me padurim. Kënga duket ndryshe prej projekteve të kaluara të cilat ajo i ka lançuar më parë, me një klip dhe koncept tejet të veçantë.

Duhet thënë se Era ka ditur se si të guxojë dhe kjo nuk është hera e parë që ajo eksperimenton. Megjithatë, edhe pse disa ndjekës nuk e kanë pritur mirë këtë stil të ri, mbështetësit kanë qenë më të shumtë që me votat e tyre e kanë sjellë artisten në vend të 97-të.

E njohur për zërin e saj unik dhe stilin e saj të veçantë, Era ka arritur që me artin e saj të shtrijë ndikimin edhe në arenën ndërkombëtare. Ajo është shqiptarja e parë që ka performuar në Kupën e Botës, me këngën “Live it Up” në bashkëpunim me Nicky Jam si dhe me Will Smith.