E ftuar në studion e “Pardon My French” në Top Albania Radio, ka qenë artistja e talentuar Lore, e cila ka folur mbi eksperiencën e saj në “Big Brother VIP 5”, ka dhënë opinionet e saj mbi banorët që janë ende në lojë, por është ndalur dhe tek projektet e saj muzikore…
Si nisi bashkëpunimi mes teje dhe MC Kreshës që po korr kaq shumë sukses?
Nisi shumë pak para BBV, këngën e kishim. E dinim që do ishte një gjë ndryshe. Unë jam në një fazë që i lejoj vetes eksperimentime. Është pritshmëri ndaj meje që të vij me gjëra shumë ndryshe nga çfarë bëhet vërdallë. Ishte një ftesë shumë spontane e një fundjave që Kresha dhe Lyrical Son kanë qenë në Tiranë për koncert, për të kaluar në studio dhe për të dëgjuar gjëra të bukura. Është menduar që të publikohej gjatë kohës që isha në BBV. Ka marrë pak kohë videoklipi për arsye brenda një feneri ishte një zemër ndriçuese dhe ajo ka marrë mbi 10 ditë që të realizohet qartë. Do lançohej gjatë kohës që unë isha brenda, mirëpo rrugëtimi im u ndërpre shpejt dhe menduam që të lançohej menjëherë pas. Të mendosh se sa ka ndikuar edhe BBV, edhe emri i Kreshës, por dhe ajo që pritej pas “Amanetit”, është pritur shumë mirë. Kresha është Kresha, është dhe më artist kur e takon nga afër. Ti nuk e di sa komod është si njeri për të bërë biseda. Kresha ka hyrë në studio dhe ka thënë ‘këngën do ta bëjmë, edhe po nuk qe fiks ajo që na duhet, do bëjmë një tjetër’.
Ky bashkëpunim vjen dhe si një eksperimentim i muzikës tënde, duke futur pak ritëm edhe pse teksti mund të jetë i lumtur, mënyra se si ti këndon është shumë e ndjerë…
Ky është qëllimi pas muzikës sime, e këtij cikli të ri të paktën. Baza muzikore të kërcyeshme, por tekste shumë melankolike. Tani me këngët që do vijnë dhe që do jenë shumë më komerciale, mundet që në një moment shumë nga dashamirësit e muzikës time të atij ciklit të parë që ka qenë shumë më introvert, më gri, më vulnerabël, do thonë ‘po ti çfarë pate?’ Se ky ishte dhe reagimi i parë për “Amanet”. Njerëz që janë mësuar të të shohin në një linjë, pësojnë një shok, një zhgënjim, ata të devotshmit. Por kur kuptuan pastaj që “Amanet” ka një ndjesi komplet ndryshe nga çdo gjë tjetër dhe unë po mundohem të mbjell një gjë që nuk ekziston, kjo më vjen natyrale që të eksperimentoj. Jam në këtë fazën tani që po mundohem të sjell një ngjyrë tjetër më trasgresive.