I ftuar në emisionin “Pardon My French” ka qenë Aldor Dore, një artist i ri në industrinë muzikore shqiptare, i cili ka publikar së fundmi projektin e tij të parë. Kënga e tij titullohet “Rastësisht”, e cila është bërë gjithashtu pjesë e “The Top List” falë votave e pëlqimit të dëgjuesve.
Çfarë aspiron artisti në këtë stad tjetër të karrierës së tij?
Preferoj t’i bëj gjërat me radhë. Kjo është etapa ime e parë. Kjo është këmba ime e djathtë për momentin për aq kohë sa ndodhem këtu pas publikimit të këngës. Më pas, jam i hapur, siç thonë “kurrë mos thuaj kurrë”.
Përse vendosi që ta bënte publikimin e këngës “Rastësisht” në këto momente?
Kënga ishte bërë. Problemi im dhe zvarritja ime në njëfarë periudhe qëndroi për pjesën e videoklipit dhe në qoftë se e keni parë është një ‘video lyrics’ më së shumti. Në qoftë se bëhej klipi tamam, ka goxha kosto dhe më pas pjesën e kohës. Thashë që është muzikë dhe mjafton që njerëzit ta dëgjojnë.
Ai foli më shumë për krijimin e këngës së tij të parë dhe çfarë e frymëzon atë më së shumti:
Frymëzimi nuk është se më ka munguar. Madje kur mendoj sa materiale kam humbur, në qoftë se tani ke telefonin e çdo material të mundshëm të regjistrosh, më përpara ka qenë më e vështirë. Kalonim nga një kasetë me regjistrim, më pas i ruaja. Ato kanë humbur shumë. Domethënë, gjatë gjithë këtij cikli, kam qenë i lidhur, ndoshta kam qenë me idenë që nuk do të vijnë asnjëherë në jetë këto projekte, por më pas gjen hapësira e mundësi. Mendoj se kam humbur kohë, por nuk besoj vonë.
Frymëzimi i tij për të bërë muzikë vjen nga një person mjaft i veçantë, nga partnerja e tij, e cila e shtyn atë të krijojë sa më shumë suksese.
Normalisht më është dhënë një spunto mjaft e madhe dhe po më shtyn të besoj. Unë jam ëndrrimtar, madje po ta shohësh është një byzylyk këtu, ma ka bërë partnerja ime, sepse do që të maarrë pjesë në çdo hap të suksesit bashkë me mua dhe lexon “Ëndërro”. Sot më shumë se kurrë po ja lejoj vetes të ëndërroj.