Elvana Gjata është padyshim një nga divat e muzikës shqiptare dhe këngët e saj më të fundit janë pëlqyer shumë nga publiku dhe këtë e tregon dhe impakti i madh tek publiku që këngëtarja merr në projektet e saj muzikore. Padyshim që ajo është një ndër këngëtaret më të dashura për publikun shqiptar dhe jo vetëm, si dhe ndër më të talentuarat.

Rreth dy javë më parë e ftuara speciale në “Dancing With The Stars” ishte Elvana, e cila performoi disa herë gjatë spektaklit, ku arriti të ‘elektrizonte’ të gjithë skenën, por gjithashtu ishte dhe pjesë e jurisë, ku për herë të parë do të jepte gjykimin e saj për performancat e konkurentëve, të cilët do të kërcenin disa nga hitet e saj ndër vite. Programi startoi me një koreografi të saj së bashku me trupën e baletit të Top Channel duke kërcyer në tingujt e muzikës së saj më të njohur.

Një ndër këngët e performuara prej saj ishte dhe “Clap Clap”, bashkëpunimi me artistët e huaj Antonia dhe Gran Error. Duket se ky projekt sa vjen e pëlqehet akoma më shumë duke marrë çdo javë votat maksimale të publikut që e kanë pozicionuar në vend të parë.

“Clap Clap” është prej 5 javësh në krye të “The Top List” duke na surprizuar. Le të presim si do jetë ecuria e kësaj kënge në klasifikimin e 100 këngëve më të mira në javët në vazhdim.