22 qershori është dita më e rëndësishme për Elvana Gjatën, që mban koncertin e parë recital në stadiumin Air Albania. Këngëtarja vazhdon përgatitjet për koncertin “Dekada” që do të mbledhë mijëra dashamirës të muzikës së saj në stadium.

Mbrëmjen e kaluar Elvana ka qenë e ftuar në emisionin “Më lër të flas” në Top Channel ku ka treguar dhe disa detaje mbi koncertin si dhe emocionet që ka. Elvana tregoi se “ka një jetë që e mendon” një koncert të tillë.

Kjo është hera e parë dhe është historike që një artist shqiptar bën një koncert recital në Air Albania. Për mua është shumë krenari dhe përgjegjësi e madhe. Jam e lumtur dhe mirënjohëse që ia arrita kësaj dite. Është dëshirë shumë e hershmja imja.

Mbi 12 mijë bileta janë shitur deri më tani, ndërsa binjakët Donald dhe Romeo Veshaj e pyetën artisten se cila ka qenë gjëja më e vështirë për t’u përgatitur.

Është një mori gjërash që duhet ti krijojmë. Na duhet edhe t’i shpikim, sepse nuk ka asnjë strukturë. Çdo detaj është i ndërtuar me shumë dashuri. E di çfarë emocioni që është… nuk mund t’ua shpjegoj. Unë kam shumë vite që bëj muzikë. Shumë vite eksperiencë dhe shumë gjëra i përjetoj akoma si fëmijë. Që në momentin e parë që doli reklama, biletat e para që po shiteshin, ishte një emocion kaq i madh… kam ende flutura në stomakun tim. Më vlon gjaku nga gëzimi, nga dashuria, jam shumë me fat.

Publiku më i veçantë për Elvana Gjatën, në koncertin e saj recital, do të jetë padyshim familja.

Nëse nuk është mami, kush do të qajë aty? Patjetër që do të jenë, ata janë forca ime. Babi është pika ime e dobët. E di që ku të shkoj në shtëpi mami do të thotë avash mi avash. Prindërit nuk i ndan dot, por babin e kam pikë të dobët. Është një mbështetje shumë e madhe për mua dhe kujdeset shumë. Kur jam në Tiranë, ai përgatit çdo ushqim që unë konsumoj që të kem energjitë e duhura. Babi gatuan për mua dhe unë ia puth duart.

Ndërsa motra do të jetë pjesë e koncertit, duke performuar live për publikun.

“Motra është gjithashtu një mbështetje shumë e madhe, me motrën kemi punuar shumë pasi ajo është edhe profesoreshë e Bel Cantos, përveç se është soprano, ka punuar shumë me zërin tim, ka qenë e para që ka evidentuar zërin tim.

E pyetur nëse do t’a këndojë të gjithë repertorin e saj, prej më shumë se 70 këngësh, Elvana sqaroi se ka krijuar një buqetë shumë të bukur për të gjithë fansat e muzikës së saj që do t’i bashkohen të enjten e ardhshme.