Elsa Lila vjen për herë të parë në mesin e artistëve të Top Awards me bashkëpunimin e saj me Aleksandër Gjokën. “Vibracionet” është titulli i projektit të kësaj dyshe të madhe që ka hyrë në klasifikimin e “The Top List” këtë javë.

Kënga “Vibracionet” është një nga performancat më të përfolura dhe emocionuese të momentit në skenën muzikore shqiptare, ndërsa u prezantua në Festivalin e 64-të të Këngës në RTSH.

Në natën finale të këtij festivali prestigjioz, Elsa Lila dhe Aleksandër Gjoka sollën një interpretim të fuqishëm dhe të ndjeshëm të këngës “Vibracionet”, që përcolli emocione dhe ngriti në këmbë publikun me ovacione të gjata dhe duartrokitje të pandërprera. Zëri brilant i Elsa Lilës dhe timbri i paarritshëm nga askush i Aleksandër Gjokës krijuan një kombinim perfekt, duke treguar edhe një herë pse konsiderohen ndër artistët më të mëdhenj të skenës shqiptare.

Teksti i këngës flet për emocionet e thella, dashurinë, ndjenjat që mbeten dhe “vibracionet” që ngelen në trup dhe në shpirt. Dhe të tilla vibracione ndiejmë dhe ne kur dëgjojmë këta dy artistë të mëdhenj të sjellin këtë perlë në muzikën shqiptare.