Në një intervistë për emisionin “Live From Tirana” në Top Albania Radio, Elhaida Dani, e cila po bën një bujë të madhe momentalisht me publikimin e albumit të saj më të ri, “ZanIN”, ka diskutuar gjatë mbi detajet e albumit si dhe prapaskenat e secilit prej videoklipeve. E pyetur më specifikisht për secilën prej këngëve të saj, Elhaida nuk ka ngurruar që të ndajë me publikun çdo përjetim të sajin gjatë xhirimit të tyre.

Një nga këngët e albumi titullohet “Zanin”, që është dhe titulli i albumit. Elhaida tregoi si lindi kjo këngë.

Zani më ka sjellë deri këtu dhe nuk e di deri ku do më çojë. Kjo këngë lindi fare natyrshëm në studio. Kur lindin demot lindin duke kënduar një zanore ndërsa kjo këngë lindi direkt me fjalën zani. Qëllimi ishte të mblidheshim në studio dhe të lejonim ndjenjat tona, shpirtin tonë të merrnin udhën. Ishin momente krijimi. Nuk doja të kishim limite. Djemtë kanë lënë çdo impenjim për tu marrë vetëm më këtë projekt dhe jam falenderuese sepse kanë bërë një mrekulli. Ja dedikoj vendit tim, Shkodrës, gjuhës time.

Kënga tjetër e albumit titullohet “Amore”. Por kush ja ka rrëmbyer zemrën Elhaidës?

Ma ka marrë zemrën dhe shpirtin ky projekt, për të cilin jam sot këtu, asgjë tjetër. Sa herë më bëhet kjo pyetje më duket simur do të jap ato përgjigjet që i di gjithë bota dhe do më qeshin, ama nuk do ndaloj ndonjëherë të flas për jetën time private. Dhe kjo është ajo gjëja që e kam mbajtur që në fillim dhe dua të vazhdoj ta mbaj. Jam e lumtur, jam shumë e lumtur. Dhe jam një vajzë me fat. Dhe nuk e kam fjalën për projektin.

Cili është kuptimi i “Hajmali”?

Kam një varëse që kam vite që e mbajë dhe më është kthyer në një hajmali që më sjellë fat. I kam mbushur mendjen vetes që më sjellë fat. “Hajmali” ka qenë kënga e fundit që kemi shkruajtur. Ishte ajo që nuk po lindte, vuajtëm për ta krijuar dhe kur lindi nuk isha shumë e bindur. I thoja çunave që është shumë larg meje dhe më thanë për të ta sjellë më afër vetes do të sjellim të gjithë instrumentat live në studio dhe do e shohësh energjinë që do të marrësh nga ato. Aty pastaj fillova të dashurohesha me këngën. 

Kujt i betohet Elhaida Dani?

Nuk i betohem ndonjë personi që do të më mërzisi me fjalë. Do i betohem njerëzve që më mbushin me dashuri. Është kënga element ajër. Është energji dhe pozitivitet kjo këngë. Po e shijoj shumë. Do e zgjidhja për në Eurovision këtë këngë.

Cila është kënga e preferuar e Elhaidës nga albumi “ZanIN”?

Kënga e preferuar është “Kënga Jonë”. E këndon dhe nuk trishtohesh. Këngë që flet për mbarimin e një historie dhe për një vajzë që akoma ka frikë se nëse e takon në rrugë personin që dashuron do ta lëndojë. Në dy referenet e fundit që janë kënduar, ata që më njohin, edhe mami im, e dëgjojnë që është zëri im kur qan. U futa dhe e përjetova aq shumë sa për ta transmetuar duhet të isha 100% unë. Kledi Bahiti është i vetmi që e solli këngën, e kishte gati. Është këngë e dashur edhe për Kledin. E vlerësoj që një këngë kaq të dashur ma dhuroi mua.