Dhurata Dora vjen këtë javë në “The Top List” me një projekt të ri, këtë herë në bashkëpunim. Ajo është bërë bashkë me Murda, një artist i ri në Top Awards për të sjellë “Te quiero”.
Murda është një reper, këngëtar dhe kompozitor turko-holandez, i cili debuton në listë këtë javë me këtë prurje të re. Duke qenë një artist ndërkombëtar, edhe kënga e tyre do të vinte si një miksim gjuhësh.
Tashmë e kemi kuptuar që të dëgjosh këngët e Dhuratës, duhet të jesh poliglot, pasi ajo shpesh ka bashkëpunuar me artistë të huaj. E kemi dëgjuar në projekte që kanë pasur brenda frengjisht, gjermanisht, e tashmë edhe turqisht.
Kënga “Te quiero” e Murda-s dhe Dhurata Dorës nxjerr në pah temat e dashurisë, mallit dhe angazhimit. Ajo shpreh dashuri të thellë përmes një përzierje deklaratash pasionante dhe rrëfimesh emocionale, duke përzier elemente nga kultura dhe gjuhë të ndryshme.
Fraza e përsëritur “te quiero”, që do të thotë “të dua” në spanjisht, portretizon një lidhje të thellë midis individëve të përfshirë, duke theksuar se si dashuria tejkalon barrierat gjuhësore dhe kulturore. “Te quiero” i rendit dy artistët në vend të 100-të këtë javë.