Min 3 është një reper i ri në tregun muzikor shqiptar por që menjëherë ka tërhequr vëmendjen e publikut shqiptar. I lindur në Kavajë por që prej vitesh jeton Itali, Min 3 ka sjellë një frymë të re në muzikë, duke u cilësuar si specialiteti i menusë muzikore. Këngëtari ka vetëm pak ditë që ka sjellë këngën më të re, e cila ka mundur të marrë votat e nevojshme për t’u bërë pjesë e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

I kontaktuar nga “Top Awards”, artisti ka zbuluar më shumë për “Feliz” dhe planet që ka në të ardhmen.

TA: “Feliz”, pse ky titull për këngën tënde më të re?

Min 3: Fakti që kam zgjedhur “Feliz” si titull është se në rradhë të parë, muzika më bën të ndihem i lumtur, mua dhe gjithë të afërmit e mi, pavarësisht rezultateve. “Lumturinë” që dua ta zgjeroj sa më shumë, “lumturinë” që dua ta ndaj me të gjithë dashamirësit e mi, ata që më suportojne e janë me mua në këtë “udhëtim”. Kam dashur gjithashtu të jap një mesazh dhe njerëzve që më dëgjojnë, në veçanti të rinjëve. Besoj se shumë të rinj e kanë “humbur” atë buzëqeshjen që duhet të kenë të stampuar në fytyrë, atë buzqeshjen që pavarësisht gjërave negative që ndodhin duhet gjithsesi të mos e humbasin. Siç më përcjell mua muzika lumturi, jam shumë i bindur se edhe ata mund të gjejnë “lumturinë” në atë çfarë i pëlqen.

TA: “Nuk e di çfarë kanë me mu, unë s’kam asgjë me ta”, çfarë ke dashur të thuash më këtë frazë nga teskti? A ka ndonjë reper në veçanti që është marrë me ty?

Min3: Nuk ka asnjë reper që është marrë me mua dhe nuk i dedikohet asnjë reperi. Kjo shprehje lindi krejt spontanisht. SHumë artistë kritikohen për atë që bëjnë në muzikë apo kudo. Nëse vini re ajo fjali lidhet me tjetrën, e cila është: “yo solamente quiero ser feliz” që do të thotë se unë dua thjesht të jem i lumtur me atë që bëj.

TA: Çfarë mendon se e bën Min 3 të veçantë nga reperat e tjerë?

Min 3: Inspirimi dhe “mentaliteti” muzikor. Nga mua do dëgjohen edhe shumë zhanera të tjerë përveç repit. Nuk më pëlqen ta quaj veten reper por këngëtar, artist. Unë jam “specialiteti i një menuje” të muzikës!

TA: Brenda pak kohësh nga publikimi i “Feliz”, jeni futur menjëherë në “The Top List”, çfarë do të thotë kjo për ju?

Min 3: Eshtë shumë pozitive për mua, jam i nderuar të jem pjesë e “The Top List” në mes shumë artistëve të mëdhenj që dëgjoj dhe i përgëzoj për punën që bëjnë.

TA: Na flisni pak për klipin, duket i thjeshtë dhe spontan, si lindi ideja?

Min 3: Klipi lindi spontan sepse gjërat spontane janë ato që më bëjnë të ndihem mire dhe duke dhënë gjithashtu një mesazh dëgjuesve që krijimet e vogla, të thjeshta, që na përcjellin gjithashtu në jetën reale na bëjnë të ndihemi “feliz”. Domethënë lumturia nuk është të kesh shumë dhe çdo gjë por atë e gjen edhe tek gjërat e vogla.

TA: Cilat janë planet në të ardhmen?

Min 3: Projekte kam shumë, i rradhës nuk e di si do të jetë ama siç e thashë, do vi spontanisht dhe mezi pres t’jua përcjell edhe publikut!