Me talentin e Aslaidon Zaimaj jemi njohur në “The Voice of Albania 4”, i cili arriti ta fitonte këtë edicion, duke u bërë zëri më i mirë i shqiptarëve.
Djaloshi 23-vjeçar vijoi me tej talentin dhe dëshirën e tij për këngën, duke marrë pjesë në “Top Fest 12”, me “Vetem do ia dal” duke arritur të ishte një nga artistët e kualifikuar në natën finale.
Ndërkohë vetëm pak ditë më parë, ai është rikthyer me një projekt të ri muzikor së bashku me grupin e tij Felon, duke sjellë “Beg You to Go”, i cili është i pari i publikuar nga ata edhe pse kanë që prej vitit 2008 që punojnë dhe performojnë në klube të ndryshme. Grupi Felon, i cili përbëhet nga 4 anëtarë: Aslaidon Zaimaj- vokalist dhe kitarist, Marco Moretti- bateri, Jacopo Cecchini- kitarë dhe Nicolo’ Caltabellotta në bass, kanë vendosur që për herë të parë të vijnë më një projekt muzikor të shoqëruar me një klip.
I kontaktuar nga “Top Awards”, Zaimaj ka folur më tepër lidhur më këtë këngë, e cila edhe pse ka pak ditë që ka dalë në treg, ka rezultuar tepër e pëlqyer për publikun dhe jo vetëm për atë shqiptar. Videklipi i këngës, për të cilin është kujdesur “Lucerna Films”, është realizuar në një pyll të Genoves, ndërsa për muzikën dhe tekstin është kujdesur vetë Aslaidoni.
“Beg You to Go”, kujt i drejtohet “Felon” me këtë titull?
“Në fakt jo vetëm titulli por i gjithë teksti ka lidhje me jetën e të gjithë pjesëtarëve të grupit. I referohemi momenteve të vështira që kemi përjetuar të katërt personalisht, secili me momentet e veta dhe e vetmja mënyrë që kemi patur për t’u larguar nga vështirësitë, është lidhja jonë e fortë dhe fuqia e muzikës”, shprehet Aslaidoni.