E ftuar në “Live From Tirana” në Top Albania Radio ka qenë Arsi Bako, një nga artistet më të reja në tregun muzikor. Ajo ka publikuar këngën e saj “More than friends” që është bërë pjesë e “The Top List” në Top Awards këtë javë, për të cilën na ka folur vetë ajo më shumë…
Na trego pak çfarë është “More than friends” për ty?
“More than friends” është kënga ime e parë, një nga krijimet e mia të para. Është diçka që më pëlqeu, më ngjiti menjëherë dhe vendosa që ta ndaj me të tjerët. Pastaj sigurisht që erdhi nëpërmjet kontaktit me Bulza Entertainment dhe Bojken Lako.
Si lindi kontakti mes jush?
Kontakti ka lindur dy vite më parë kur isha pjesë e “Art Fest”. E kishim lënë që atëherë me Bojken Lako që të bënim një projekt. Dhe erdhi momenti që ta nxirrnim tani.
Si e sheh ti zhvillimin e tregut muzikor në Shqipëri, jo vetëm për artistët e vjetër por edhe ata të rinj?
Kam përshtypjen që tani po e marrin më seriozisht muzikën. Tani artistët janë më të përfshirë. Shoh shumë të rinj që i punojnë vetë këngët e tyre, për të parë si funksionojnë gjërat, si funksionon një produksion.
Pse është kjo tendenca e të krijuarit këngë në anglisht?
Personalisht, unë dëgjoj më shumë muzikë të huaj, por nuk bëj vetëm këngë anglisht. Kam dhe në shqip, por më rrjedh më natyrshëm kur i këndoj në anglisht.
Cila është fabula e “More than friends”?
Fabula është në fakt e kundërta e titullit. Do të thotë që nuk mund të jemi më shumë se miq sepse është pëlqim i njëanshëm. Çfarë të bëjmë kështu janë gjërat, edhe pse më vjen keq…
Nga të buron ty frymëzimi?
Jo tek diçka konkrete, por më shumë tek diçka e bukur. Një lule, një sjellje e mirë, qielli i bukur, varet…
Si është të punosh me Bojken Lakon?
Është person që ka qëllim të të ndihmojë të hysh në treg. Gjithmonë më ka vlrësuar, më besoi dhe më dha mundësinë për të bërë këngën.