Ardit Çuni mundi të thyente një rekord thuajse një vit më parë pasi kënga e tij, “Jena Na” ishte një ndër këngët që qëndroi më gjatë në krye të klasifikimit të “The Top List”

Pas këtij suksesi, për të cilën Arditi shprehet se ishte një bombë, këngëtari ka ardhur me një tjetër projekt të ri të titulluar “Je mama”.

Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, artisti ka zbuluar më shumë sa i përket kësaj kënge dhe planet e tij në të ardhmen.

TA: Pas 7 muajsh vini me një projekt të ri, mendoni se duhet ta kishin publikuar pak më heret?

Ardit Çuni: Jo vetëm që e mendoja por edhe e kishim planifikuar të dilnim në mes të qershorit pasi publiku është më aktiv në atë kohë por gjithsesi ndodhin në Shqipëri këto gjëra dhe me rëndësi është që projekti u lançua. Më mirë vonë se kurrë.

TA: Si lindi ideja për këtë projekt muzikor?

Arditi: Duke qënë se ishim në prag sezoni vere dhe shijet latine kishin filluar të pëlqeheshin shumë edhe në Shqipëri, menduam të sillnim një këngë “reggeaton”, e cila sigurisht do të ishte edhe një vazhdim i “Jena Na” për 2017-tën. Ideja lindi në studio. Unë thjesht i kisha shprehur se çfare do më pëlqente të sillja këtë verë si rrymë muzikore dhe ata më pas krijuan një “demo”, të cilën sapo e dëgjova e kuptova që është ajo kënga që me duhet për këtë sezon vere.

TA: Cilët janë bashkëpunëtorët e tu? Kush është kujdesur për tekstin dhe muzikën?

Arditi: Bashkëpunëtorët edhe në këtë projekt janë të njëjtët si në dy projektet e fundit. Për muzikën është kujdesur Marsel Gunga, teksti nga 2Step dhe videoja nga “Sebastian Production”.

TA: Per cfare flet kënga? Pse keni zgjedhur ketë titull provokues?

Arditi: Kënga flet për një ndarje të një çifti ku unë vazhdoj akoma të shpresoj për një rikthim dhe ndihem xheloz kur nuk e kam pranë edhe pse jemi ndarë. “Je Mama” është përdorur pasi kaq “profesioniste” është kjo goca në dashuri saqë unë kam rënë brenda dhe i them që si ti s’ka dhe je nona e punës.

TA: Mendoni se kjo këngë do të ketë të njëjtin sukses me “Jena na”?

Arditi: “Jena Na” ka qënë një bombë me sahat që sa vinte edhe bëhej më e suksesshme dhe për këtë jam shumë me fat. “Je mama” kalon nëpërmjet një vështirësie akoma më të madhe pasi publiku automatikisht e krahason me “Jena Na” dhe kjo e bën akoma më të vështirë rrugën për sukses. Premisat janë të mira, kënga po këndohet, po luhet ne radio, televizion, kështu që na ngelet vetëm të presim për ta parë.

TA: Komenti më i bukur që ke marrë në rrjetet sociale lidhur me këtë këngë? Por ai që nuk të ka pëlqyer shumë?

Arditi: Komente të bukura kam marrë plot por një ndër ato që e kujtoj me humor është një vajzë që shkruante: “Po ne që s’jemi mama në dashuri si t’ja bëjmë?” Dhe përgjigjia ime ishte: “Bëni një “master shkencash” dhe do ja arrini qëllimit.

Komente negative s’është që ka patur pasi edhe nuk i lexoj shumë por komente të tipit “çfarë është ky titull nga “Jena na” tek “Je mama”, “u bëtë të gjithë njësoj me këto këngë”, “pse ke dalë si burgaxhi”. Këto të fundit i marrë gjithmonë me shaka dhe asnjëherë seriozisht.

TA: Do kemi projekte të tjera gjatë kësaj vere?

Arditi: Vera u mbyll me “Je Mama” dhe shpresoj të kem “Feedback-un” e duhur nga publiku por në shtator vi me këngën e re, kështu që deri atëherë votoni “Je Mama” dhe më ndiqni.