Kjo javë e klasifikimit të “The Top List” është pushtuar nga dy Albanët e njohur të muzikës shqiptare dhe bëhet fjalë për Alban Skënderaj dhe Alban Ramosaj. Dy artistët e talentuar renditen në dy vendet më të nxehta të klasifikimit zyrtar të “Top Awards”.

Këtë javë, Alban Skënderaj ka triumfuar me projektin e tij më të ri muzikor “Lea” , e cila edhe pse është hyrje e re për këtë javë, ajo ka arritur të mposhtë këngët të cilat për javë të tëra qëndronin në pozicionet më të rëndësishme të listës.

E publikuar këtë javë, “Lea” ka marrë mjaft komente pozitive por nuk kanë munguar as kritikat sa i përket mesazhit që përçon kjo këngë.

Nga ana tjetër, Alban Ramosaj ka rezultuar tepër i suksesshëm me prurjen e tij më të re të titulluar “A Thu Pse”, e cila është pjesa e dytë e triologjisë “Hiraeth”. Ndërkohë që javën e kaluar renditej në vendin e parë, këtë javë ajo ka humbur një pozicion, duke u zhvendosur në vendin e dytë.

Sa i përket projekteve të reja muzikore, katër të tilla i janë shtuar klasifikimit për këtë javë, duke lënë kështu të nënkuptohet se pavarësisht se vera ka përfunduar, artsitët vazhdojnë të prodhojnë muzikë të re për fansat e tyre.