I ftuar në emisionin “Lancio” në Top Albania Radio ka qenë kantautori i famshëm Alban Kondi, një artist që ka prodhuar mjaft projekte të arrira muzikore për tregun shqiptar. Dalja e tij e fundit skenike ka qenë së bashku me artisten Lore, të cilën ai edhe e menaxhon. Ndër të tjera ka sjellë edhe një projekt mjaft të këndshëm “Melodi”. I pyetur në lidhje me daljet e tij të ralla publike, ai është shprehur:

Kur zgjedh të dal, dua të kem një material që të ndihem mirë me të dhe më shumë kam dalë për të lançuar Lorelën, pasi e kemi si zbulim tonin. Zgjodhëm ta performonim dhe ishte diçka shumë e bukur të ndaje skenën me një artiste të një gjenerate tjetër. 

Në lidhje me faktin se ai shfaqet mjaft i tërhequr nga skena shqiptare, Albani është pyetur në lidhje me tregun aktual muzikor dhe ndryshimet që ai ka pësuar.

Nuk besoj se ka ndryshuar një gjë konkrete, thjesht ajo është me të ndjerë dhe jo me të menduar. Momentin që ti e ndjen se nuk është më e nevojshme të dalësh në skenë për të performuar për një audiencë. E gjej më shumë veten në studio, të prodhoj aty dhe jam më komod.

Ai ka bërë së fundmi edhe një projekt me këngëtaren Aurela Gaçe, “99 Sfida”. Ai mban mbi supe të gjitha përgjegjësitë si shkrimi i tekstit, vija melodike, etj. Por ai ka edhe barrierat e tij, i cili shprehet se ka raste që i thotë jo disa kërkesave.

Nuk mund të kompozosh për çdo këngëtar sepse ka artistë që nuk i përkasin rrymës dhe gustove, prandaj nuk përshtatesh dot. Më mirë thua nuk po i futem kësaj rruge. Nuk do të kesh përshtatshmëri artistike, jo për arsye të tjera. Edhe pëlqimi është relativ. Një artist që nuk të pëlqen sot mund të pëlqejë nesër dhe e anasjellta. Nuk besoj se është kjo.

Sipas tij, një muzikë e bërë keq është muzikë e bërë jo nga profesionistët, por nga njerëz që nuk janë për atë punë. Ai nuk ka mendim negativ në lidhje me rrymat e ndryshme muzikore, por janë njerëzit që e bëjnë të tillë. Më tej, u shpreh:

Modeli që krijohet i pëlqen njerëzve. Ata zgjedhin rrugën e shkurtër, si të tjerët, për të bërë para, për të arrirë suksesin dhe vëmendjen maksimale.

Sipas tij, fama të vjedh jetën në momentin që ti do ta mbash për një kohë të gjatë:

Kur ti e prek, të jep një lloj emocioni që ti e kupton që njerëzit i kanë sytë nga ti, por kur e mban për një kohë të gjatë është e lodhshme, sepse duhet të bësh një jetë të mbyllur dhe ia shet shpirtin djallit për të arritur atë lloj force.

Gjatë intervistës është përmendur edhe “BBV”, i cili është një fenomen i paevitueshëm. Aty ka mjaft artistë, por më i spikaturi në sytë e publikut është këngëtari Luiz Ejlli. I pyetur nëse do t’i bëntë një këngë Luizit, Albani u shpreh si më poshtë:

Ne si grup kemi këngë me Luizin dhe e kemi përkrahur kur ka kënduar me Juliana Pashën dhe kur ishte nata e sfidave, që kënga risillej në një formë tjetër. Ne si Produkt 28 kemi qenë aty dhe e kemi mbështetur. Luizi është artist dhe ka spikatur që herët, por besoj ka zgjedhur vetë të mos vazhdonte. Me katër dalje ai ka fituar në tre festivale. Tregu nuk e ka nxjerrë jashtë. Do i shkonte një baladë klasike.