Në Top Fest-in e Fundit, Top Channel lajmëroi se vitin e ardhshëm një epokë e re do të niste në botën e muzikës moderne shqiptare, ku të gjithë artistët do gjendeshin përballë njëri-tjetrit.

Më 13 dhjetor 2015 për herë të parë në uebsajtin topawards.top-channel.tv u shfaq klasifikimi i këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, i cili në atë kohë përbëhej nga 20 projekte muzikore.

“Ani Nasht” ishte kënga e parë që mbizotëroi “The Top List”, e cila u pasua nga “SRMN” e Ledri Vulës, duke qëndruar në vendin e parë për 4 javë rresht. Më pas ky sukses u pasua nga Alban Ramosaj, i cili me projektin e tij “A me do” goditi në shenjë, duke mbizotëruar klasifikimin për 4 javë.

Ndërkohë konkurrenca në këtë klasifikim sa vite e bëhej më e vështirë pasi rikthimi i fuqishëm i Alban Skënderaj në muzikë, pas një pauze të shkurtër, jo me një por me disa projekte muzikore, bëri që artisti të rrëmbente nga java në javë vendet më të rëndësishme të klasifikimit.

Era Istrefi ishte një tjetër artiste e cila publikoi projektin e saj më të ri muzikor, i cili u bë pjesë e “The Top List” që prej 10 janarit. Kjo këngë vazhdon ende të jetë në këtë klasifikim për 31 javë, duke u shndërruar kështu në këngën më jetëgjatë të kësaj renditjeje zyrtare.

Me ardhjen e stinës së verës, shumica e artistëve publikuan projektet e reja muzikore duke sjellë kështu një ndryshim nga java nga javë sa përket prurjeve të reja apo ndryshimeve në renditje.

2Ton, Ledri Vula, Era Istrefi, MC Kresha, Alban Skënderaj, Alban Ramosaj, Nora Istrefi, Capital T, Elvana Gjata, Flori Mumajesi, Xhensila, Ardit Cuni, Kida janë disa nga artistët që përmes projekteve të tyre muzikore, qofshin ato “solo” apo bashkëpunime, kanë qënë në krye të “The Top List”.

Që prej 30 tetorit “The Top List” vjen me një ndryshim të madh, ky tashmë në klasifikimin e saj nuk do të gjenden më 20 këngë por 50 të tilla, duke sjellë kështu një larmi të madhe projektesh muzikore.

“The Top List” mund ta ndiqni çdo të dielë në ekranin e Top Channel në orën 10:30-12:00, çdo të martë në “My Music” në Digitalb ora 20:00 si edhe çdo të shtunë në Top Albania Radio ora 13:00.

Ndërsa në uebsajtin topawards.top-channel.tv, jo vetëm mund të votoni të preferuarit tuaj por gjithashtu mund të lexoni të rejat më të fundit nga artistët shqiptar.