Së fundmi në emisionin “Live from Tirana” në Top Albania Radio, ishte i ftuar kantautori Vlashent Sata i cili është bërë i njohur për këngët e tij të një rryme të veçantë por edhe për lidhjen që ka me moderatoren shumë të dashur për publikun, Dojna Mema.

I pyetur se çfarë do të thotë për Vlashentin realitet virtual ai u përgjigj kështu…

Zhvillimi ka gjithmonë një çmim për tu paguar. Të gjithë i dimë benefitet e realitetit virtual, është e vështirë të gjejmë ngushëllim me gjërat jashtë vetes nëse ti nuk je i qetë brenda teje. Njeriu e ka kërkuar gjithmonë zgjidhjen te tjetri, te puna, te shkolla, te e dashura. Sa më shumë plakesh, aq më shumë duhet me e ushqy veten. Benefiti i kësaj është që edhe i ka afruar njerëzit duke qenë larg. Unë 60% të kohës jam në Francë dhe 40% jam në Shqipëri. Ndiehem më rehat këtu. Unë kam humbur tim atë në gusht të vitit të kaluar dhe që nga ikja e atij mua më duket sikur më kanë lënë një lloj stafete që nuk e kam kaq të thjeshtë të iki. Unë do të doja që njerëzit të mos kishin nevojë të largoheshin. Im atë më bënte shpesh surpriza. Ka qenë liria e mendimit, moskufizimi, më thonte gjithmonë që muzika është përtej. Muzika ka një formë univerale, pak apstrakte dhe ndoshta na bashkon të gjithëve. Dashuria që ka prindi për fëmijën është shumë e bukur dhe dashuria që rizbulon fëmija për prindin është akoma më e bukur.

Vlashenti së fundmi ka krijuar edhe brand-in e tij të titulluar “Copëzat” dhe për këtë projekt të ri të tijin ai ka këto fjalë për të thënë:

Ky koleksion që quhet “Veç me andrra ishim vesh” është një tekst i shkëputur nga “Djemtë e balonave”. Siç e dini nga kënga “Copëzat”, lindi ideja e një brand-i që do kishte shprehjet e këngëve të mia të shkruar në të. Për 2-3 ditë vjen furnizimi i ri dhe do të jenë për të gjithë njerëzit që kanë dëshirë t’i blejnë ato. 

Duke qenë se në fillim të emisionit u diskutua edhe lidhja në distancë, si ka qenë lidhja e Vlashentit me Dojnën? Vlashenti na tregon…

Ne jemi njohur në intervista te emisioni që ka patur Dojna më përpara. Dukej sikur kishim vite që njiheshim. Dojna bënte ato batutat e saj dhe direkt të bënte pyetjen(qesh). Unë nuk e kisha mendjen, kisha një sërë punësh për të bërë ato kohë dhe kur njoha Dojnën u surprizova. Dolëm pimë diçka, biseda ishte shumë e ngrohtë dhe vazhduam të komunikojmë më pas. Erdhi shumë natyrshëm. 2 muaj më vonë shkruanim gjithë kohës dhe i thash: ‘Nuk po jetoj fare, rri me mendjen se kur do të më shkruash ti, mendoj se duhet të takohemi’ dhe ajo më tha: ‘Duhet të vish’. U takuam dhe më pas nuk u ndamë më. Relata në distancë është shkatërruese, shumë e vështirë, por kur njerëzit është e thënë për të qenë bashkë nuk është e vështirë, të bëhet qëllim jete. Kërkon ta takosh, ta përqafosh partneren. Jam me shumë fat dhe çdo ditë e çdo moment ja themi njëri-tjetrit dhe këtë ndjesi ja uroj të gjithëve.

Dashuria nuk bie nga qielli por ndërtohet. Periudha më e gjatë që kam ndejtur larg Dojnës ka qenë 6 javë për shkak të projekteve të mia por kam udhëtuar shumë shpesh për Dojnën, si dhe Dojna për mua gjithashtu. Të dy jemi të përgjegjshëm për punën por kemi bërë shumë sakrifica për të takuar njëri-tjetrin. Puthja e parë ka qenë e natyrshme, ishte si një lloj përqafimi puthjesh. Kemi pasur dhe mini-ndarje kur të dy i kemi bërë pikëpyetje vetes. Kemi pasur momente kur jemi tërhequr për të parë se ku po shkojmë. Unë jam tërhequr më shumë sepse jam natyrë kokëfortë. Dojnës i them më fal për çdo gjë si përshembull që jam kokëfortë. Dojna është një person që merr kohë t’i bëjë gjërat mirë. Zënka e parë ka qenë për ndarjen e punëve të shtëpisë (qesh).