menu

Vin Veli “detyron” Renis Gjokën të eksperimentojë në një tjetër rrymë muzikore


Ora: 15:04 Datë: 07/08/2020

Renis Gjoka njihet tashmë prej vitesh për muzikën që e karakterizon atë si artist dhe është pikërisht muzika “rock” por së fundmi këngëtari na ka surprizuar të gjithëve dhe shkak për këtë është bërë Vin Veli.

“Melodi” titullohet projekti i parë i dyshes, i cili ka vetëm pak ditë që është publikuar por që ka tërhequr menjëherë vëmendjen. Falë sugjerimeve të shumta nga ana e publikut, “Melodi” është bërë këtë javë pjesë e klasifikimit të “Top Awards”.

Në një intervistë të dhënë për “Wake Up” në Top Channel, Renis Gjoka dhe Vin Veli kanë rrëfyer më shumë për këtë bashkëpunim, ideja fillestare e të cilit ka qënë e Vin Velit.

Dj Vin Veli ka treguar se ka punuar me mjaft kujdes për këtë projekt, në mënyrë që të joshte Renisin, për të cilin ishte hera e parë që do të lundronte në një rrymë ndryshe dhe ia ka dalë me shumë sukses.

Nga ana tjetër, Renisi u shpreh se ky është projekti i parë por jo i fundit pasi në vazhdim ai sërish do eksperimentojë në rryma të ndryshme muzikore.

I pyetur nga Isli nëse po rrezikonin sadopak, duke publikuar një projekt të ri në një moment kur muzika “live” është e ndaluar, si Renisi ashtu edhe Vin Veli janë shprehur se pavarësisht se nuk po shpërblehen nga ana monetare, ata janë shpërblyer nga reagimi pozitiv i publikut.