Edhe pse gjendemi ende në një periudhe të pasigurt sa i përket ecurisë së muzikës për shkak të pandemisë, artistët nuk janë ndalur  së prodhuari muzikë por kanë vijuar të punojnë për të qënë sa më pranë publikut.

Klasifikimi i kësaj jave është konsideruar mjaft surprizues dhe shkak për këtë janë bërë hyrjet e reja në listë, të cilat janë në total 9 këngë.

Akoma më surprizues është fakti se tre prej këtyre këngëve kanë arritur të futen menjëherë në “Top 10” dhe bëhet fjalë për “Ndoshta” të Cricket dhe Yll Limanit, “Do doja” të Bardhit dhe “No Drama” të Anxhelina.

Ashtu edhe sic kishte premtuar, Anxhelina ka publikuar projektin e radhës, të titulluar “No Drama”. Sugjerimet nga ana e publikut e kanë pozicionuar artisten menjëherë në “Top 10”.  Edhe në këtë projekt muzikor, Anxhelina ka ardhur e kuruar deri në detaje, me një tekst dhe muzikë mjaft të bukur.

Cricket dhe Yll Limani kanë sjellë dy projekte të reja muzikore, “Ndoshta” dhe “Pray”, të cilat janë pozicionuar përkatësisht në vendin e 5-të dhe 30-të. “Ndoshta” ka marrë më shumë vëmendje nga ana e publikut shqiptar, sugjerimet e të cilit e kanë cuar menjëherë në “Top 5”.

Bardhi vazhdon të na surprizojë me prurjet e tij muzikore dhe këtë javë, artisti i është shtuar klasifikimi me këngën “Do doja”, e cila është pozicionuar menjëherë në vendin e 6-të.  Artisti ka ardhur paksa ndryshe krahasuar me projektet e tjera muzikore, por teskti i këngës është ai që ka marrë vëmendjen kryesore.