menu

Renis Gjoka zbulon më shumë për “Sot” dhe planet për “nesër”


Ora: 17:07 Datë: 03/04/2017

Në një intervistë të dhënë kohë më parë për “Top Awards”, Renis Gjoka premtoi se pas një pauze muzikore, do rikthehej fuqishëm në treg,  me disa projekte. Këngëtari duket se e ka mbajtur premtimin pasi rreth 3 javë më parë ai ka publikuar projektin e ri muzikor, të titulluar “Sot” por artisti ka treguar se kënga tjetër është pranë përfundimit.

“Sot”, falë votave të publikut, është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List” duke u renditur në vendin e 25-të. I kontaktuar nga “Top Awards”, Renisi ka zbuluar më shumë për këngën “Sot” dhe planet e së ardhmes.
TA: I keni kënduar thuajse gjithmonë dashurisë, “Sot” vjen me një tekst ndryshe. Per çfarë flet ajo? Pse “hoqët dorë” nga dashuria?

Renis Gjoka: Në fakt as këtë herë nuk kam hequr dorë nga dashuria. Edhe kjo këngë flet për dashurinë. Por në një formë tjetër. Flet për dashurinë që duhet të kemi për veten, që nuk duhet të ndihemi të dobët, nuk duhet ta braktisim veten në momente të vështira por duhet t’i japim forcë e kurajo për të vazhduar e për ta çuar “lojën” deri në fund, pavarësisht rregullave të saj.

TA: Kush është kudjesur për muzikën dhe klipin e këngës? Ku është xhiruar ai?

Renis Gjoka: Kisha dëshirë që kënga të zhvillohej në një shesh të madh qyteti. Duke qëne se në sheshin e Tiranës janë xhiruar deri tani 4384 klipe, u zhvendosëm në sheshin e Lushnjes pasi ishte interesant si shesh, plus edhe shumë pak i konsumuar sa i përket xhirimeve. Me klipin u mor Kastro Zizo të cilin e falenderoj. Ndërsa muzika është një bashkëpunim midis meje dhe Gent Myftaraj. Teksti sërish nga mua.

TA: Që në javët e para të publikimit, jeni bërë pjesë e “The Top List”, e prisnit këtë reagim pozitiv të fansave edhe përmes votave?

Renis Gjoka: Në fakt reagimet kanë qënë shumë pozitive dhe si rrjedhojë kisha një dëshirë që kjo gjë të pasqyrohej edhe me reagime konkrete nga ata që më ndjekin dhe mbështesin. Me sa duket kështu ndodhi dhe ja ku jemi. Ju falenderoj edhe ju si staf që më keni bërë pjesë të artikujve tuaj vazhdimisht.

TA: Në një intervistë të dhënë disa kohë më parë për Top Awards, keni deklaruar se deri në sezonin e kësaj vere, do publikoni në total 4 këngë, do e mbani premtimin?

Renis Gjoka: Sigurisht (buzëqesh). Në fakt kënga “Sot” duhej të dilte përpara se të vinte 2017-a por për disa arsye nuk u bë dot e mundur. Gjithsesi, dy këngë u publikuan. Do të publikohen edhe dy të tjera deri në gusht dhe po ju them që në këtë moment po vjen drejt mbylljes kënga e re ku më pas do i realizohet edhe klipi. Këtë herë jam duke bashkëpunuar me “Tull Productions” dhe them që po nxjerrim një këngë që do ketë ndikim. Shpresoj shumë të publikohet në maj.

TA: Nje mesazh për adhuruesit e muzikës tënde?

Renis Gjoka: Shumë faleminderit që më ndiqni dhe mbështesni. Ju jam mirënjohës. Do ju “sajdis” më shpesh me prodhimtari tani e tutje.