menu

Renis Gjoka rikthehet me një super këngë dhe videoklip


Ora: 16:32 Datë: 12/07/2016

E publikuar ditën e djeshme, “Po tani?”, është projekti muzikor më i ri i këngëtarit të talentuar Renis Gjoka. Pas një pauze disa mujore, artisti ka vendosur të vijë jo vetëm me një këngë që menjëherë ka goditur zemrat e fansave por gjithashtu me një videoklip që është bërë qendra e vëmendjes. Me tekst të vetë artistit dhe muzikë të Endrit Shanit,   “Po tani” është rikthimi i duhur Renis Gjokës.

I kontaktuar në “Top Awards”, Renisi ka folur më tej rreth këtij projekti muzikor, i cili sapo ka çelur rrugën e sukseseve të tjera të këngëtarit.

Top Awards- “Po tani?” , një tekst i shkruar nga ju, a është ky një dedikim?

Renis Gjoka – Jo. Nuk është dedikim i drejtpërdrejtë. Por besoj që është një situatë e cila përfaqëson një pjesë të mirë të personave që s’e kanë marrë seriozisht lidhjen e dashurisë në momentin që kanë qënë në të.

Top Awards – Kush është marrë me realizimin e klipit dhe ku është xhiruar ai?

Renis Gjoka – Klipi është realizuar nga D.M.J.C. Video, studio me të cilën kemi bashkëpunuar edhe për klipin “Une dhe Gogoli” (dedikuar fëmijëve me autizem). Xhirimet janë bërë në Pëllumbas. Ideja ishte e djemve që realizuan klipin, pasi e kishin studiuar shumë mirë si zonë dhe menduan që ishte e përshtatshme për këtë këngë.

Top Awards – A është ky projekti i parë për këtë vit? Pse vendosët ta publikonit pikërisht tani?

Renis Gjoka -Po ky është i pari por jo i vetmi (buzëqesh). Mendova që ky ishte momenti i duhur për ta ndërprerë pauzën disa mujore dhe të filloja punën për projektet e reja.

Top Awards – Përmes një statusi në rrjetet sociale, keni premtuar projekte të reja, a mund të na thoni diçka me tepër lidhur me këtë?

Renis Gjoka – Po. Në plan janë edhe 4 këngë të reja që do të publikohen deri në fund të sezonit që vjen, pra pak a shumë deri në fillim të verës së vitit tjetër. Sigurisht që do të vazhdoj dhe më pas, por deri në këtë periudhë, këngët janë të përfunduara që tani. Publikimet e këngëve do të jenë nëpërmjet klipeve të cilat do t’i realizojë e njëjta studio që realizoi klipin e fundit. Pra nuk do të jem pjese e ndonjë kompeticioni apo festivali muzikor.