Një ndër hyrjet më të veçanta të kësaj javë është padiskutim grupi SYTË. “The End” është kënga falë së cilës ky grup gjendet në klasifikimin e “Top Awards”, e cila edhe pse ka disa muaj që është publikuar, arriti pikërisht tani të merrte sugjerimet e mjaftueshme nga ana e publikut.

Po çfarë e bën të vecantë grupin SYTË dhe projektin “The End”?

“The End” është kënga e parafundit e albumit “Divine Computer”, i cili u publikua në mars të vitit 2020-të. Stili i kësaj kënge është një përzierje e ritmeve tradicionale shqiptare, në kombinim me harmoni dhe melodi që ngjasojnë me stilin “r&b/neo-soul”.

Tekstin e këngës e ka shkruar vokalistja e grupit, Nita Kaja.

“The End” dallohet për një klip mjaft ndryshe nga ato cfarë jemi mësuar të shohim në tregun tonë muzikor dhe është prodhim i kompanisë “ëonder”, me regjisor Andi Gola, në të cilin tregohet një alien që sulmon Prishtinën dhe “SYTË” i dalin në mbrojtje qytetit.

Pse grupi ka vendosur të quhet SYTË?

Të kontaktuar nga Top Awards, grupi është shprehur: “Sytë janë pasqyrë e universit thonë, gjithashtu tekstet i kemi në anglisht prandaj preferuam që grupit t’i vendosnim emrin në gjuhën shqipe“.

Kush është grupi SYTË?

Duke shkrirë melodi të kapshme, me një stil indie të lehtë, SYTË është një grup nga Prishtina që u formua në vitin 2018-të. Stili i tyre është i vështirë të përcaktohet, megjithëse ndodhet diku midis “R&B” dhe “indie-pop”.

Fillimisht një dyshe, grupi u formua kur vokalistja Nita Kaja ishte duke vizituar Prishtinën dhe u takua me partnerin e ardhshëm të bendit Drin Tashi. Nita u zhvendos nga New Jersey për në Prishtinë dhe dyshja filluan të punojnë në EP-në e tyre të parë së bashku. Ata që nga ajo kohë janë evoluar në një grup me katër anëtarë, pasi grupit i janë bashkuar bateristi Granit Havolli dhe basisti Fatlind Ferati.

Ata janë të njohur për performancat e tyre elektrizuese dhe kanë luajtur një numër të madh festivalesh të mirënjohura, përmendim këtu:”Pop Kultur Festival”, “Sunny Hill Festival” dhe “Localize Festival”.

Grupi së fundmi ka publikuar albumin e tyre të parë “Divine Computer”. Suksesi i albumit ka arritur të marrë edhe vëmendjen e disa mediave ndërkombëtare.