I ftuar në studion e “Lancio” në Top Albania Radio ka qenë artisti Frank Ibrahimi, për të folur për rrugëtimin e tij në muzikë dhe jo vetëm…

Si do ta prezantoje veten para publikut?

Frank Ibrahimi është një djalë që preferon të jetë i thjeshtë duke ndjekur rrugëtimin e ëndrrës që ai ka për të dhënë maksimumin në fushën muzikore, në art dhe në performanca. Ëndrra ime është të vazhdoj të prodhoj muzikë dhe të performoj dhe të vazhdoj të ndaj një pjesë të shpirtit tim me publikun.

Çfarë të inspiron më shumë kur bën muzikë?

Unë kam një bagazh prej 12 këngësh në total që i kemi shkruar dhe i kemi përpunuar, pavarësisht se prej tyre janë publikuar vetëm pesë. Ndër këto këngë që kemi shkruar, krysisht frymëzimi vjen nga dashuria, edhe nga bota e brendshme artistike e jona. Këtu mund të preket trishtimi, mund të preken ndjenja të tjera si ankthi, po ashtu edhe hëna me diellin dhe qielli. Në mënyrë figurative por dhe jo, të frymëzojnë sepse i ke mbi kokë dhe i sheh dhe me dritën e tyre arrijnë të të frymëzojnë. Unë të paktën frymëzohem.