Besa Kokëdhima ka nisur karrierën e saj muzikore me këngën debutuese “Më beso” në vitin 2003, një bashkëpunim me grupin Produkt 28, i cili rezultoi i suksesshëm në atë kohë.

Ishte vetëm 19-vjeçe kur Besa u zhvendos përfundimisht në Shqipëri, pas studimeve që përfundoi në Angli. Në atë kohë ajo nisi punën për albumin e saj të parë i cili u publikua në 29 korrik 2006. Disa prej këngëve të albumit të parë të këngëtares ende vazhdojnë të kujtohen nga publiku shqiptar si “Zonja dhe Zotërinj” apo “Mëngjesi im je ti”.

Pas disa eksperiencave në pjesëmarrjen e festivaleve të ndryshme në Shqipëri, Besa u bë pjesë e “Top Fest” në 2007, ku u vlerësua me çmimin “”Best Pop & Rock” për këngën e saj “Unik” ndërsa në 2008 ajo triumfoi në “Top Fest” me këngën “Engjëjt vrasin njësoj” ku fitoi çmimin e parë. Po në 2008, Besa u kthye në qendër të vëmendjes për këngën e saj “Si motra”, e cila rezultoi tepër e pëlqyer për publikun shqiptar. Por ajo ka qënë një këngëtare besnike e “Top Fest”, duke u bërë pjesë e tij në 2010 dhe 2012 ku sigurisht është larguar me disa çmime të rëndësishme.

Në 2013 ajo bashkëpunoi me Dj rumun DJ LLP, duke sjellë këngën “Burning”, e cila ishte pjesë e klasifikimeve muzikore në Rumani duke marrë vlerësime maksimale. Po në vitin 2013 ajo publikoi këngën “Folie”, e cila erdhi e shoqëruar me një videoklip që promovonte më së miri bregdetin e Jugut, andej edhe nga është edhe prejardhja e vetë artistes.

Në gusht 2013, këngëtarja ka qënë e ftuar të performonte në “Sopot Music Festival” në Poloni duke performuar këngën pjesëmarrëse të “Top Fest”, “Fishekzjarre”, ku morën pjesë emra të rëndësishëm të muzikës botërore si Loreen, Imany, Amy McDonalds, Caro Emerald etj. Në dhjetor të vitit 2013, Besa publikoi një album special dedikuar festave të fundvitit, “Besa për Festat”, i cili përmbante 8 këngë tradicionale angleze të përshtatura në gjuhën shqipe.

Viti 2014, vijoi të ishte tepër aktiv për artisten, e cila publikoi rreth 5 projekte të reja muzikore, duke e mbyllur me një tjetër album të ri dedikuar festave të titulluar “Ti Je Festa Ime”.

Viti 2015 sigurisht që do sillte gjëra të reja nga këngëtarja, madje duke provuar dhe rryma të ndryshme muzikore. “#14”, “Amelia”, “All In” ishin tre projektet muzikore të Besës të publikuara në atë vit.

“Kameleon” ishte kënga që nisi vitin 2016, duke pasuar më tej me bashkëpunimin e suksesshëm me Flori Mumajesin “123” një këngë që u shndërrua në një hit veror dhe duke u renditur në pozicione më të favorshme të “The Top List”.

Por vetëm një javë më parë Besa ka nxjerrë në treg këngën e saj më të re të titulluar “Hangover”, e cila edhe pse ka pak ditë që është publikuar ka marrë mijëra klikime në “Youtube” si edhe duke u bërë menjëherë pjesë e klasifikimit të 20 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare “The Top List”.