Reperi shqiptar Emra Haritzi i njohur në fushën e artit si Escobars shumë shpejt po rrëmben zemrat e publikut shqiptar.

I lindur në Gjermani por zhvendosur në Londër që në moshën 7-vjeçare ai ka premtuar se do të krijojë muzikë për të gjithë fansat e tij në Shqipëri e jo vetëm, gjithashtu dëshiron ta shohë veten si një nga artistët më të mëdhenj në botë.

Për herë të parë ai u bë pjesë e klasifikimit të 100 këngëve moderne shqiptare me prurjen “Cokaeena” ndërsa këtë herë rikthehet me një tjetër projekt ritmik të quajtur “Pull Up”.

Kjo këngë është një ndër hyrjet më të reja të “The Top List” që për këtë javë pozicionohet në vendin e 100. Për të folur më tepër rreth “Pull Up” si edhe projekteve të reja muzikore, Escobars ka dhënë një intervistë ekskluzive për Top Awards!

TA: “Pull Up” ka vetëm një muaj që është publikuar dhe fansat nëpërmjet votave e kanë mbështetur për t’u bërë pjesë e “The Top List”, a të ka frymëzuar ky fakt për të sjellë prurje të reja për ta?

Escobars: Përgjigja pozitive e fansave për këngën time të parë ka qenë 100% e madhe. Patjetër që kjo gjë më shtyn të bëj akoma më shumë këngë të tilla. Fansat e mi të rrinë gati pasi do ketë këngë të reja në shqip dhe anglisht.

TA: Na zbuloni më shumë rreth këtij projekti muzikor dhe cilat kanë qenë disa nga momentet më argëtuese gjatë xhirimit të klipit!

Escobars: Xhirimet kanë qenë të papara, zgjatën dy ditë dhe të gjithë ishin shumë në humor, sidomos ditën e dytë të xhirimeve në jaht ku koha ishte pak e vranët dhe për shkak se deti kishte shumë dallgë u rrëzuam gjatë filmimit, kemi qeshur shumë.

TA: Në një intervistë të mëparëshme për Top Awards, ju keni thënë se nëpërmjet këngëve do t’i tregoni publikut histori ‘të çmendura’ të jetës suaj, a është edhe ‘Pull up” një e tillë?

Escobars: Po, patjetër që edhe kënga “Pull Up” pasqyron një pjesë timen të jetës, çdo këngë e imja është një pjesë!

TA: Kur do të vini me projekte të reja muzikore dhe a do të jenë po kaq ritmike e verore sa kjo e fundit?

Escobars: Një projekt tjetër i tillë po punohet dhe ka disa surpriza të mëdha që së shpejti do të zbulohen!

TA:  A mendoni se “Pull Up” do të tejkalojë suksesin e “Cokaeena”?

Escobars: Po, pse jo edhe jam i lumtur për këtë, do ishte mirë të vazhdonte kështu që çdo projekt të ishte më i mirë se tjetri.

TA: Një mesazh për të gjithë fansat që ju kanë votuar…

Escobars: Dua t’i falenderoj të gjithë që kanë gjetur kohën dhe dëshirën për të votuar këngën “Pull Up”, si këngën e tyre të preferuar. Jam tepër i lumtur për suportin e të gjithëve dhe shpresoj që çdo këngë e imja të votohet, të krijojë atmosferë dhe të pëlqehet. Zoti ju bekoftë dhe faleminderit nga zemra!