Elvana Gjata është rikthyer në rrënjët e saj, pikërisht pranë publikut shqiptar, në mënyrën më origjinale dhe profesionale.

Në ekranin e Top Channel është shfaqur një dokumentar, ku Elvana Gjata, një nga këngëtaret më të dashura të publikut shqiptar, ka rrëfyer detaje të jetës së saj personale dhe profesionale.

Këngëtarja ka vendosur të rikthehet nga Amerika për të dhënë një koncert në ditën e lindjes së saj, ku ka prezantuar dhe mini albumin e titulluar “3”.

“Ky koncert nuk është thjesht një koncert për mua por është një rrëfim dashurie për muzikën me të cilën unë jam rritur”, shprehet Elvana.

Elvana tregon se ideja për këtë koncert akustik lindi menjëherë pas akustikut të saj të parë, para 5 vitesh por jeta e saj mori drejtim tjetër pasi i’u desh të zhvendosej në Los Angeles, për të bërë debutimin e saj ndërkombëtar me “Forever Is Over”.

“Pavarësisht se e lash të flinte si projekt, ai më mbante zgjuar thuajse çdo natë”, shton artistja.

Në këtë projekt ajo ka bashkuar fuqitë me njerëzit të cilët ajo i do dhe i beson. Eshtë Andi, menaxheri i saj, Valdrini, i cili prej 5 vitesh është stilisti i saj, Pirro Çako , i cili i dha jetë këtij projekti dhe Dalina Buzi, të cilës i ka besuar drejtimin e të gjithë këtij projekti.

Ky mini album mban titullin “3” dhe Elvana ka zbuluar arsyen pse.

“Albumi titullohet “3” sepse 3 është numri im i fatit, 3 është ditëlindja ime, 3 është dita e koncertit, 3 është numër hyjnor pasi unë besoj në Zot dhe 3 është pallati i prindërve të mi, ku unë jam rritur”.

Artistja ka treguar gjithashtu se pavarësisht se në jetën personale, është tepër e rezervuar, kur bëhet fjalë për atë profesionale, ajo pëlqen të flasë hapur.

Në këtë dokumentar, Elvana ka zbuluar më shumë për marrëdhënien e saj me familjen. Ajo tregon se sado që të rritet në emër, në famë, përpara motrës së saj, Migenës, ajo do të mbetet gjithmonë e vogël dhe ndoshta do të hajë gjithmonë kritikat e saj.

Ela, ashtu siç miqtë më të mirë e thërrasin, shprehet se ushqimet e saj më të preferuara janë vetëm ato që gatuan mamaja e saj.

Në koncertin e mbajtur më 3 Shkurt në Tiranë, ku ishin të pranishëm rreth 100 persona, Elvana ka prezantuar 6 këngë të albumit të saj.

“Me Fal”, “Xheloz”, “Gjerat kane ndryshuar”, “Vec nje pike”, “Festojme” dhe “Ti Shqipëri me jep nder” janë këngët e mini albumit “3” të ardhura në versionin akustik.